Basha për Kuvendin Kombëtar: Nuk do të mblidhet me 11 dhjetor

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, i ka propozuar kryesisë së PD-së thirrjen e Kuvendit Kombëtar me datën 18 dhjetor ku do të diskutohen 3 pika kryesore si drend dite.

Basha theksoi se nuk ka një Kuvend të PD në 11 dhjetor, por një thirrje për t’i kundërvënë SHBA-ve një pjesë të vogël të PD për interesa personale, që do të sillnin izolimin e PD nga SHBA. Kryetari i PD i propozoi kryesisë një rend dite për Kuvendin legjitim Kombëtar të 18 dhjetorit, të thirrur prej tij.

Rendi i ditës i propozuar nga kryetari i PD Lulzim Basha:

  1. Vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe axhendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.
  2. Miratimin e Aksionit Politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për Demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si dhe ndërtimin e mekanizimit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës, i cili në aleancë me krimin e organizuar dhe korrupsionin ka shkatërruar çdo mjet të funksionimit demokratik të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit nga qytetarët dhe kryesisht të rinjtë.

3. Miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme, sipas objektivit “Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm – Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri”.

Mes disa pikave të draft vendimit për çështjen e organizimit dhe thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 18 Dhjetor ka edhe një pikë tjetër me rëndësi, që synon disiplinimin e strukturave. “Çdo veprim apo akt tjetër, në çdo formë apo mënyrë, që bie ndesh me këtë vendim të Kryesisë së Partisë, do të përbënte dëmtim të interesave elektorale dhe politike të Partisë Demokratike.”, -thuhet në pikën 3 të vendimit të propozuar nga kryetari i PD.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *