Para false në Tiranë/ Policia dyshon për një laborator në kryeqytet, por ku ndodhet?

Ela, punon kameriere dhe sapo i jep paratë për të paguar kafenë, ajo e ngre kartëmonedhën prerje 50-she dhe e drejton nga drita. Për studenten nga Gramshi, e cila punon në një lokal në kryeqytet dhe jo vetëm për atë, frika se në duar mban para false referuar eksperiencës së ditëve të fundit, e ka bërë përditë e më shumë dyshuese.

“Po më ndodh si shpesh kjo gjë dhe nuk jam në gjendje të tregoj se nga burojnë paratë false, por në mbyllje të turnit, vërej se dikush ma ka hedhur me kartëmonedhat“.

Por për departamentin kundër krimit ekonomiko-financiar, që është vënë në kërkim të këtij fenomeni, ankesat e dorëzuara pranë policisë po regjistrohen më së shumti nga biznese të shitblerjes dhe të ofrimit të shërbimeve.

“Jemi ende herët për të thënë me garanci se diku mund të jetë një laborator që prodhon kartëmonedha false, por e sigurt është që jemi në proces hetimor”, – përmend shkurt oficeri i kësaj njësie për Gazetasi.al.

Për policinë, ky fenomen që nuk ka ende shpjegim se nga buron dhe cilët janë autorët, nuk është aq shqetësues, sa është konvertimi në tregun e zi të parave që po sillen në të zezë (raportuar më herët nga Gazetasi.al).

Në një nga episodet që iu dha Gazetasi.al, jo zyrtarisht , forcat e posaçme të patrullave “Shqiponja”, shoqëruan një 63-vjecar nga Tirana, që akuzohet për ushtrim të pa licencuar të veprimtarisë financiare. Shtetasi K.K., sipas njësisë kundër krimit ekonomiko-financiar, po qëndronte pranë tregut të zi të dollarit, ndërkohë që pas kontrollit, policia i shpjego Gazetasi.al, se i gjeti në xhepa 7 kartëmonedha prerje 20 paund, 10 copë prerje 50 euro, 7 copë prerje 20 euro, 13 copë prerje 10 euro, 18 copë prerje pesë mijë lekë, si dhe karta telefoni në shitje në tregun e zi.

Por ky shtetas këmbëngul për policinë më pas se paratë i gjendeshin në xhep, pasi bashkëshortja ia solli nga Italia. “Kam dalë nga shtëpia rreth orës 9:30, – thotë I dyshuari, – dhe po shkoja tek dollari pas bankës, pasi mbrëmë ka ardhur gruaja nga Italia dhe solli euro dhe unë erdha t’i këmbeja. Në momentin që shkova aty, mbërriti policia, shpjegon ky shtetas për oficerët.

Por policia, thotë me bindje për Gazetasi.al, se veç hedhjes në treg të parave të falsifikuara, fenomeni I futjes së parave të padeklaruara përmes “ xhepave” dhe përmes të afërmve, po kthehet në një valë shqetësuese të parave të padeklaruara dhe infomale.

“Por nga ana tjetër, në mënyrë të veçantë përmes tregtisë së automjeteve të përdorura, vërehet si shenjë risku futja e parave të trafikut të drogës dhe të aktiviteteve të paligjshme në Shqipëri”, – deklaron një zyrtar kundër krimit të organizuar pranë Policisë së Shtetit.

Pyetjes së Gazetasi.al, se cilat janë vendet e origjinës së këtyre dërgesave, zyrtari i përgjigjet: “Burojnë nga shtete si Anglia, ku të rinjtë punojnë në shtëpitë e drogës, prej nga ku riciklohen miliona, e njëjta gjë ndodh edhe në Spanjë dhe Belgjikë. Por kemi indicie se rrjetet më të organizuara po veprojnë dhe përmes një forme tjetër të njohur, me palë të treta, ku pronari ia dorëzon paratë ‘online’ anëtarit të një grupi tjetër në vendin ku gjendet, ndërkohë që një anëtar i këtij grupi, përmes një procesi ‘online’ në të njëjtën kohë, dorëzon një valixhe me të njëjtën shumë tek lidhjet e tij në Shqipëri. Kjo është forma më e sofistikuar që kryhet përmes rrjeteve, të cilat në këtë rast duhet thënë se janë kthyer në partnerë të fortë dhe të gjitha njësitë kanë dështuar të hetojnë sipas parimit, ‘follow the money’”.

Nga të dhënat e mbledhura nga Gazetasi.al, del se disa operacione me synim bllokimin e dërgesave me para përmes automjeteve të përdorura që porositen ‘online’, i kanë kthyer agjentët duar bosh. Megjithatë në dy prej tyre, shumat e bllokuara, midis tyre operacioni ‘Toyota Yaris’, treguan se nëse ‘task force’ në pikat kufitare nuk i mbyll sytë, këto para mund të ngecin në hyrje.

/Burimi; Gazeta “Si”/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *