E lyer me graso dhe e mbështjellë me natriban, si u zbulua kokaina në kontejnerin me banane

Detaje të reja janë hedhur në dritë sa i takon operacionit ku u sekuestruan 49 kg kokainë. Në pranga ra babai i Arbër Çekajt, Selim Çekaj. Lënda narkotike ishte futur në një kontejner me banane që vinte nga Ekuadori dhe ishte e ndarë në 37 pako.

Mësohet se këto pako (rreth 1.3 kg secila) nuk kishin asnjë shenjë dalluese, ndërsa ishin mbledhur me natriban në formë katrore dhe drejtkëndore dhe ishin lyer me graso. Kokaina ishte fshehur në 2 këmbët e kontejnerit me mbyllje të posaçme metalike.

Selim Çekaj, babai i Arbër Çekaj, ishte prej një muaji nën vëzhgim nga Policia e Shtetit. Ndonëse i biri u dënua me 14 vite burg për sasinë prej 613 kilogramë kokainë që u zbulua në portin e Durrësit në vitin 2018, pasi vinte nga Kolumbia dhe ishte fshehur në një kontejner me banane, ai nuk hoqi dorë.

Kompania e Arbër Çekajt mbante emrin “Arbi Garden”, ndërsa firma e babait të tij mban emrin “Ecoalmax”, ndërkohë që transporti i lëndës narkotike është bërë në të njëjtën mënyrë, në kontejner me banane.

“Ecoalmax” rezulton e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në 21 mars të vitit 2018, me administrator Selim Çekajn.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *