Debatet dhe fjalët e ashpra nuk kanë munguar gjatë ditës së sotme në seancën parlamentare. Përveç debateve të paradites ironitë dhe akuzimet nuk kanë munguar në foltoren e Kuvendit as pasdite.
Deputeti i PD-së Tomor Alizoti ka akuzuar shumë deputetë në parlament duke thënë se shumica e tyre janë ‘injorantë’ dhe ka shtuar se nuk bëjnë fjalime politike, por teatër.
Fjala e Alizotit:
“Kam bindjen dhe përshtypjen që të mos flisja fare në këtë parlament, por më ngacmoi pak ministrja e Financave me teorinë e Kenesit. Kenesi është një filozof i famshëm anglez dhe shquhet si një i majtë i social demokracisë. A është politika juaj e buxhetit e majtë Kenesiane? Unë kam përshtypjen që një pjesë e deputetëve që kanë ardhur me biletë, sepse e quaj biletë sepse kanë ardhur duke blerë vota, nuk e njohin këtë teori. PPP që bëni ju nuk janë të Kenesit. Pra, jeni qeveri e majtë apo e djathtë? Jeni për një shtet të vogël e një treg të lirë, apo për një shtet të majtë? Fatkeqësia e këtij parlamenti është që s’ka fjalime politike, ka teatër.
Ndaj ju ndiheni keq kur shihni banalitete në parlament. Buxheti është elementi më i rëndësishëm i një ekonomie, kur kryeministri nuk është në sallë, por duhet të ishte dhe kryetari i opozitës. Është buxheti, sepse është më i rëndësishmi. Nuk kemi kohë dhe koha është e shkurtër për ne që të themi dy gjëra, por koha zgjatet nëpërmjet dy figurave të rëndësishme, e cila është e gjitha teatër. Kush është çun më i mirë dhe kush bën gallatë më shumë. Politika nuk është gallatë, sepse kemi një vend që është më i varfri në rajon. Sot, ka një elitë shumë më të pasur se në të gjithë kohërat e saj. Elita shqiptare sot mund të sfidojë edhe elitën e botës, edhe të SHBA-ve, aq e pasur është. E pasur pa bërë fjalime politike. Kemi injorancë në parlament. Më vjen keq ta them këtë gjë, por ne kemi banalitet. Prandaj politika shqiptare është linçim, nuk ka. Kryeministri dhe lideri juaj që ju keni frikë ta kundërshtoni, një pjesë e madhe i servilosen për të kapur ndonjë post. E di kur ka vdekur parlamentarizmi, kur listat për deputet i bën kryetari i partisë.
Duhet ta mbash mirë me kryeministrin, edhe andej nga pala jonë që të bëhesh deputet. Edhe kur vjen këtu nuk di çfarë të thuash. Ky është realitet i hidhur i Shqipërisë. Meqë jemi pak veta këtu e s’na dëgjon njeri, kjo është fatkeqësia e shqiptarëve. Nga politika s’ka për t’i ardhur gjë, por shpresoj që ata njerëz që na dëgjojnë të rebelohen në mënyrë demokratike dhe të kërkojnë të drejtat e tyre”, tha Alizoti.
/Priza.al/