Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi ngjarjen horror të regjistruar një ditë më parë në Fieri, ku u vra barbarisht 8-vjeçari Mateo.
Rama tha se kjo ngjarje tronditi mbarë opinionin publik dhe falë reagimit të menjëhershëm të policisë autori u kap dhe u neutralizua. Ai kërkoi që për këtë ngjarje, por edhe të ngjashme që do të ndodhin më të ardhmen të jepet dënimi maksimal.
“Siç të gjithë e keni marrë lajmin tragjik të ditës së djeshme e gjithë shoqëria është tronditur, por mbi të gjitha mbetet e pangushëllueshme për prindërit, për familjen për të afërmit, humbja e vogëlushit Mateo. Ajo që nuk e bën më të lehtë peshën e kësaj humbjeje, në mendjen dhe në zemrën e babait, familjes por sidoqoftë pritet me padurim nga të gjithë është verdikti më ekstrem i drejtësisë mbi barbarin i cili falë reagimi të menjëhershëm dhe identifikimit dhe kapjes së shpejtë nga policia gjendet sot prapa hekurave. Duke shqyrtuar imtësisht gjatë mbrëmjes së djeshme të gjithë rrjedhën e ngjarjes si dhe profilin e autorit, mbetet shija e tmerrshme e asaj që ka ndodhur. Vllazërisht i shpreh ngushëllimet prindërve, familjes dhe ta afërmëve, fjalët janë të pafuqishme, sidoqoftë, fjalët mbeten. Pjesa tjetër i takon drejtësisë, duhet të jetë e shpejtë. E pata të pamundur që të bëja një tekst për ngjarjen, ndaj dola në këtë konferencë para nisjes për Romë. I kuptoj këto reagime, çështja e dënimit me vdekje është e adresuar kohë më parë, si çështje e civilizimit tonë, nga vendet e BE dhe më gjerë. Në adresimin e kësaj çështje ka pasur një proces të gjatë ku janë hedhur nga vendet e para hapat për dënimin me vdekje, të bazuar në shumë analiza në shumë fakte, që kanë folur qartësisht, jo vetëm në aspektin moral, por dhe të bazuar te të drejtat e njeriut. Dënimi me vdekje nuk e bën të paevitueshme për shoqëritë ngjarje të tilla. Shoqëritë kanë në gjirin e tyre këto që shkojnë deri në ekstrem të asaj që ka mbetur nga kafsha në qënien e njeriut, kështu që rikthimi i dënimit me vdekje nuk është as i mundur dhe as formulë dhe shkop magjik për të parandaluar të tilla ngjarje, siç e the dhe e dimë ndodhin në të gjitha shoqëritë.”, tha Rama.
/Priza.al/