Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka reaguar për vrasjen e 8-vjeçarit Mateo Vasiu në Fier. Përmes një postimi në Facebook, Nikolla kërkon që autori të marrë ndëshkimin maksimal. Sipas saj kryetares, pas këtij krimi qëndron një histori lëshimesh dhe një zinxhir përgjegjësish. Ndër të tjera, Nikolla thotë se të gjithë duhet të reflektojmë nga kjo që ndodhi.
Postimi i plotë
Dje Shqipëria humbi një fëmijë, një engjëll të vogël tetëvjeçar. Krimi i tmerrshëm ndodhi në Fier. Pas këtij krimi qëndron një histori lëshimesh dhe një zinxhir përgjegjësish. Nëse ato do të ishin shmangur, Mateo sot do të ishte në shkollë, me shokët dhe shoqet e tij. Krimineli ka dhunuar edhe më parë dhe për një krim të rëndë ka marrë një dënim përkëdhelës. Të gjithë duhet të nxjerrim mësime nga kjo që ndodhi dhe autori i këtij krimi barbar duhet të marrë ndëshkimin maksimal. Shoqëria dhe komunitetet duhet gjithashtu të reflektojnë. Krimet ndodhin para syve edhe për shkak të mungesës së vëmendjes dhe reagimit tonë.
E kam të vështirë të gjej një fjalë ngushëlluese për prindërit dhe familjarët e Mateos. Asgjë nuk lehtëson dhimbjen e padurueshme të tyre.
U prehsh në paqe, engjëll!
/Priza.al/