Shahin Kadare, vëllai i shkrimtarit të madh Ismail Kadare, me profesion doktor, është ndarë nga jeta ditën e sotme si pasojë e një sëmundje të rëndë.
Mësohet se doktor Kadare, kishte më shumë se një vit që vuante nga një sëmundje e rëndë e cila është bërë shkak për humbjen e jetës.
Shahin Kadare, fillimisht u diplomua në vitet ’60-të në Tiranë dhe më pas kreu një specializim në Rumani. Doktor Shahin Kadare ishte një nga të parët doktorë të Shkencave në fushën e mjekësisë, me një kontribut të jashtëzakonshëm në studimet onkologjike, si referues në dhjetëra konferenca dhe kongrese ndërkombëtare shkencore.
Ai ka botuar studimet e tij shkencore në revistat më të njohura të mjekësisë në botë. Ai ishte themelues i Laboratorit të Morfologjisë Patologjike.
Shahin Kadareja ishte dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike në vitin 1990. Kadare shërbeu për disa vite, pas vitit 1997 si ambasador i Shqipërisë në Suedi dhe në vende të tjera, por iu rikthye serish profesionit të mjekut. Doktor Shahin Kadareja la pas gruan dhe dy fëmijë.
/Priza.al/