Përcillet në banesën e fundit 8-vjeçari Mateo Vasia i cili u vra ditën e djeshme nga fqinji i tij Klodian Çalamani. Qindra njerëz, banorë të fshatit por edhe deputeti Taulant Balla si dhe kryetari i Bashkisë Fier Armando Subashi morën pjesë në varrim.
Në një deklaratë për mediat, Balla u shpreh se është miratuar ndihma financiare për familjen e cila humbi të voglin e tyre.
‘Ngjarje e rëndë. Ajo që na bën të jemi përgjegjës është nevoja që të kërkojmë në mënyrë të menjëhershme nga Prokuroria dhe gjykata ndëshkim maksimal për këtë kalbësirë të shoqërisë. Bashkë me kryetarin e Bashkisë kemi qenë pranë familjes, kemi miratuar një ndihmë financiare për familjen. Do ti gjendemi pranë familjes. Fjalë për të ngushëlluar këtë familje nuk ka.‘- tha Balla.
Ndërsa kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi kërkoi nga çdo qytetar që të mbajnë 1 minutë heshtje në orën 12:00 për humbjen e jetës së Mateo Vasiut. Ai bëri të ditur se kohë më parë autorit, Klodian Çalamanit i ishte ofruar punë në një ndërmarrje të Bashkisë, por u largua pas disa ditësh. Ndër të tjera, Subashi tregoi se autori ka qenë në listën e personave problematikë dhe ishte në vazhdim nga policia.
/Priza.al/