Çmimet e gazit janë rritur sërish me 8 % më 17 nëntor, pasi Gjermania ka shtyrë miratimin e gazsjellësit kontrovers të Rusisë, Nord Stream 2 (Rjedha Veriore 2).
Gjermania ka bërë të ditur se ka pezulluar procesin e miratimit, sepse konsorciumi me bazë në Zvicër, i cili qëndron mbrapa projektit të gazsjellësit, duhet të krijojë një degë në Gjermani, në mënyrë që të fitojë licencën.
Ky vendim ka shuar shpresat se gazsjellësi do të mund të jetë funksional në muajt në vijim dhe që do të mund të lehtësojë krizën me energji në Evropë, të shkaktuar nga disa faktorë, përfshirë prodhimin e ulët.
Rritja e kërkesës, pas rihapjes së ekonomive, është po ashtu shkak për këtë rritje çmimesh.
Rusia është akuzuar për bllokim të furnizimeve shtesë të gazit natyror në Evropë – përmes gazjellësit ekzistues që kalon Ukrainën – në mënyrë që t’i bëjë presion Bashkimit Evropian për të miratuar më shpejt projektin, Rrjedha Veriore 2.
Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe disa vende anëtare të Bashkimit Evropian kundërshtojnë projektin Rrjedha Veriore 2, duke thënë se rrezikon sigurinë energjetike në Evropë.
Ky gazsjellës do ta privojë edhe Ukrainën nga tarifat e tranzitit. Një burim i paidentifikuar gjerman, ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuters se projekti i gazsjellësit nuk do të miratohet deri në muajin mars, kur kërkesa për gaz natyror të nisë të ulet me ardhjen e pranverës.
Rritja e çmimeve të gazit është duke shkaktuar inflacion në Evropë ashtu sikurse panik për ndërprerje të energjisë elektrike.
Gjithashtu dy firma të tjera energjetike në Mbretërinë e Bashkuar pësuan kolaps pasi vonesat në furnizim nga një tubacion gazi në Evropë i përshkallëzuan akoma edhe më shumë tensionet mbi çmimin, që kanë krijuar një krizë të vërtetë të kësaj industrie.
Rregullatori i energjisë në Mbretërinë e Bashkuar, Ofgem tha se Neon Reef, që ka rreth 30,000 klientë vendas dhe Social Energy Supply, që furnizon rreth 5,500 familje, kanë mbyllur aktivitetin e tyre. Kjo e con në 21 numrin e furnizuesve në vend, të cilët janë dorëzuar përpara ngërçit të krijuar që nga fillimi i shtatorit, kur çmimi i blerjes së gazit në tregun me shumicë pësoi rritje të ndjeshme.
Luhatjet e forta në tregun e gazit kanë bërë që kompanitë, disa prej të cilave nuk u “mbrojtën” ose nuk u siguruan kundër situatave të tilla, të gjendeshin të detyruara të blinin energji në nivele të larta, ndërkohë që ishin kontraktuar për ta shitur atë shumë më lirë te klientët e tyre.
Çmimet u rritën përsëri në të gjithë Evropën të martën, pasi rregullatori gjerman i energjisë vendosi të pezullonte procesin e miratimit të Nord Stream 2, tubacioni i ri gjigant që do të sjellë gazin rus në kontinentin e vjetër.
Projekti është përballur me kundërshtime të ashpra nga SHBA, që thotë se ky tubacion do ta bëjë Evropën shumë të varur nga gazi rus dhe do të anashkalojë Ukrainën, e cila tradicionalisht ka qenë rruga kryesore për të, dhe fitonte ndjeshëm si vend transiti.
/Burimi: Reuters/ Përshtati: Priza.al/