Ditën e sotme ‘blutë’ e Shkodrës kanë zhvilluar operacionin e koduar ‘North Forex’ ku tetë persona janë vënë në pranga, mes tyre dy djem dhe gjashtë vajza, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim. U arrestuan Elisa Kolndreu 22 vjeçe, Olda Shpendi 20 vjeçe, Aishe Baci 30 vjeçe, Senada Alij, 21 vjeçe, Sonila Alija 24 vjeçe, Ervin Osja 29 vjeç, Nikolin Toma 26 vjeç, Ysniela Dalipi, 27 vjeçe.
Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi polak Pawel Wziontek 27 vjeç, i cili ishte pronari i call-cente-rit. Në kërkim janë edhe Alma Sokoli 21 vjeç, (bashkëjetuesja e tij) dhe Klodian Memo, 38-vjeç.
Operacioni ka goditur një rast të mashtrimit të qytetarëve të huaj, nga Call centerat në Shqipëri, për investimet në bursa. Personat e arrestuar dhe ata në kërkim janë nën akuzë për mashtrim me anë të platformave dhe programeve kompjuterike. Mësohet se në krye të kësaj skeme mashtrimi ishte një shtetas polak.
Burimet thanë se përmes mashtrimit kompjuterik ata u shkaktonin dëm shtetasve të huaj, kryesisht atyre gjermanë dhe spanjollë.
Pas arrestimeve të kryera, policia e Shkodrës ka zbardhur edhe skemën se si funksiononte puna në Call Center-in e Shkodrës, i cili sipas bluve mashtronte qytetarë të vendeve të Bashkimit Europian duke ui telefonuar për t’i ftuar të investonin në gjoja bursa; kriptomonedha apo forex.
Këta shtetas, prej një periudhe 1-vjeçare kishin krijuar një skemë që kryesohej nga shtetasi polak, i cili kishte rekrutuar si menaxherë shtetasit shqiptar Ysniela Dalipi, Nikolin Tomi. Kjo skemë ushtrohej në lokacione të ndryshme dhe konsistonte në mashtrimin kompjuterik nëpërmjet programeve dhe platformave të ndryshme si Vicidial, Forex dhe Exchange, në dëm të shtetasve të huaj, kryesisht atyre gjermanë dhe spanjollë.
Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shtetasi polak me qëllim shmangien e hetimit pas operacionit kombëtar kundër mashtrimeve kompjuterike, kishte bërë çregjistrimin e të gjithë punonjësve dhe kishte vijuar ta ushtronte aktivitetin në fjalë në mënyrë të fshehtë.
Pasi u vendos në Shkodër, polaku punësoi disa të rinj duke filluar aktivitetin e tij një vit më parë. Gjatë kësaj periudhe, puna vijoi normalisht ku kryesisht gjermanë dhe spanjollë telefonoheshin nga punonjësit e këtij Call Center-i. të cilët i prezantoheshin si përfaqësues të brokerave të ndryshëm me vendnodhje në BE dhe iu thuhej se nëse investonin sipas këshillave të tyre do të bëheshin të pasur.
Pasi bindeshin, të mashtruarit dërgonin paratë në llogaritë bankare ku i thonin punonjësit e Call Center-it në Shkodër. Pasi dërgonin paratë, viktimat mbaheshin në kontakt nga punonjësit duke iu kërkuar të rrisnin investimin. Kjo gjë përsëritej vazhdimisht deri sa qytetari kuptonte se ishte mashtruar. Në këtë moment punonjësit e Call Center-it ndërprisnin çdo kontakt me të.
Po vazhdojnë hetimet për verifikimin e të gjitha investimeve në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme që kanë bërë personat e përfshirë në ketë veprimtari, në koordinim dhe me autoritetet gjermane, spanjolle dhe polake, me qëllim konfiskimin e te gjitha aseteve të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.
Njëkohësisht vijon puna për evidentimin e të gjitha subjekteve call center që ushtrojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të paligjshme me anë të mashtrimeve kompjuterike, brenda dhe jashtë vendit
/Priza.al/