Basha akuzon Berishën: Hesht sepse mbron krimin, pse s’i denoncon Suel Çelën e Doshin?

Kryedemokrati Lulzim Basha, në një intervistë për ‘ABC’ ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha se po hesht në mënyrë që të mbrojë faktorët e krimit në vend.

Basha tha se Berisha ka përgjegjësi se po hesht për personat që i janë bashkuar “Foltores”, duke shtuar se ai ka prova dhe fakte për akuzat e bëra publikisht.

Sipas Bashës, Suel Çela, Tom Doshi dhe Aqif Rakipi i janë bashkuar Berishës në betejën kundër Amerikës.

FJALA E BASHËS: 

Këtë nuk mund ta bëjë kurrsesi një Parti Demokratike e cila vendoset nën tutelën e Suel Çelëve, Tom Doshëve dhe Aqif Rakipëve. Dhe këtu dua të them diçka që besoj demokratët e kuptojnë shumë qartë por është t’ia komunikojmë të gjithë shqiptarëve. Nuk kam prova dhe nuk dua ta besoj, as këtë moment se këta faqezinj të krimit të organizuar i janë vërsulur me mjetet më çnjerëzore demokratëve. Çfarë i lidh ata me kuvendin e Partisë Demokratike, çfarë interesi kanë ata? Përveç faktit që një pjesë e tyre janë apo mund shumë shpejt të shpallen “NON GRATA”. Ç’lidhje kanë këta që para disa muajsh i kishim kundër, me armë në duar, me para në duar në masakrën zgjedhore të 25 prillit. Nuk dua ta besoj kurrë se i janë përgjigjur thirrjes së Sali Berishës. Nuk dua ta besoj në këtë moment se i janë përgjigjur thirrjes së Sali Berishës. Por dhe pa diskutim thirrjes së dikujt i janë përgjigjur dhe dihet se kush ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me ta, kush merr pushtet me ta dhe ndan pushtet me ta, ky është Edi Rama. Është e qartë se ky i ka shkelur syrin për tu futur në flamurin e Sali Berishës dhe këtë kanë bërë, por u bë pothuajse një javë që faktet janë denoncuar publikisht dhe ajo që e ngarkon me përgjegjësi Sali Berishën para çdo demokrati dhe para çdo shqiptari është heshtja dhe mos denoncimi. Kur këto fakte u denoncuan edhe zyrtarisht nga institucionet e partisë, minimumi, minimumi që pritej nga një ish-kryetar i Partisë Demokratike aq më shumë dikush, ish-kryetari më jetëgjatë i Partisë Demokratike që ka qenë dhe kryeministër dhe president ishte së pari, një kontakt me Partinë Demokratike në institucionet e Partisë Demokratike, që i bënë këto denoncime publike bazuar mbi fakte dhe prova të pakundërshtueshme që ne i disponojmë dhe së dyti, një distancim publik me emër dhe mbiemër sepse ne e dimë që Sali Berisha kur dëshiron flet me emër dhe me mbiemër. Shpesh here ka ankesa edhe me të padrejtë, shpesh herë duke iu referuar edhe familjarëve apo edhe të afërmve të subjekteve për të cilat flet por është bërë një kohë e gjatë që nga goja e tij nuk janë dëgjuar emrat e disa prej autorëve kryesorë të masakrës zgjedhore si Aqif Rakipi, si Suel Çela, si Tom Doshi apo të oligarkëve të cilët akuzohen nga demokratët e thjeshtë sot nga Shkodra në Elbasan, në Vlorë, në Durrës dhe në Tiranë se po investojnë për fatin e tyre tek përpjekja përçarëse e Sali Berishës e cila në sens kërkon të marrë një pjesë të Partisë Demokratike peng dhe ta përdorë si mburojë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendimit të Shteteve të Bashkuara Të Amerikës për ta shpallur të padëshirueshëm apo “NON GRATA”, që është dhe zanafilla e këtij procesi.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *