Pesë anëtarët e familjes Pupa u masakruan dhe u vranë brenda shtëpisë, mes tyre një foshnje 7 muajshe, ndërsa drejtësia shpalli fajtor dhe ekzekutoi me dënimin me vdekje, varje me litar, vëllezërit Josif dhe Dritëbardh Çuko, nga fshati Libofshë.
Ngjarja ndodhi në 29 maj të vitit 1992 në fshatin Libofshë të Fierit, ndërsa ky ishte dënimi i fundit me vdekje në Shqipëri, e për ironi të fatit po në Fier vrasja e 8-vjeçarit dy ditë më parë, ka shkaktuar revoltën e shoqërisë shqiptare, të cilët kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje.
Kiço Nano, prokuror i masakrës së Libofshës që dha dënimin kapital për ekzekutimin e dy vëllezërve Çuko, që shuan një familje për grabitje, ka dhënë një intervistë ekskluzive për korrespodentin e Top Channel, Mikel Marsi.
Ish-prokurori shprehet se ngjarja e vitit ’92 ka qenë e rrallë në Evropë edhe në botë, që të zhdukësh tre breza në një vrasje, dy prindërit, djalin e tyre dhe nusen, së bashku me foshnjën 7 muajshe të çiftit.
Nano tregon për momentet e vështira që ka kaluar, ndërsa shton se kur çonte ndërmend skenën e vrasjes së foshnjës me levë pas koke, ajo që mendonte ishte se meritonin përtej ekzekutimit!
Autorët treguan vetë të gjithë ngjarjen ndërsa nuk u shfaqen aspak të penduar thotë Nano, teksa shton se 2-3 vite pasi ndodhi varja në litar e dy vëllezërve pati një rënie të këtyre ngjarjeve tragjike!
Vetëm dy ditë më parë, 38-vjeçari Klodian Çalamani vrau barbarisht 8-vjeçarin Mateo Vasiu duke e goditur me sende të forta dhe e groposi në oborrin e shtëpisë së tij disa orë pasi e kishte marrë peng. Kjo ngjarje ka shkaktuar indinjatë dhe një revoltë të gjerë qytetare, ndërsa Nano nuk gjen dot fjalë e thotë se nëse do të ishte prokuror do të jepte dënimin maksimal për vrasësin!
Intervista e plotë:
Kiço Nano: Unë deri në korrik të ’92 kam qenë prokuror i rrethit të Fierit dhe në muajin prill ndodhi një ngjarje shumë e rëndë, makabre, në Fier, që më ka ngel në mendje, u vranë u zhdukën tre breza. Ngjarje e rrallë në Evropë dhe në botë që të zhdukësh tre breza në një vrasje. Ikën djali me nusen, fëmija e vogël, Magdalena 7 muajsh dhe prindërit e djalit, tre breza.
Gazetari: Sa e lehtë apo e vështirë ishte dhënia e vendimit kapital për ju?
Kiço Nano: Më ka ngel në mendje, kur gjeta forcën, kur kujtoja dhe kaloja nëpër mend skenën e vrasjes së foshnjës 7 muajshe ajo më jepte të thoja jo kapital, por sikur të kishte super kapital ata e meritonin ekzekutimin. E vrau me levë, madje e kisha peshuar levën, ishte levë barominë 13 kilogramshe. E gjuajti në kokë, qau fëmija. Pasi u goditën të parët djali me nusen, u goditën ata me levë, duke dëgjuar zhurmë fëmija qau, se ishte ora 01:00 i natës, ata qëlluan edhe fëmijën me levë.
Gazetari: Autorët treguan të gjithë ngjarjen vetë? A ishin penduar?
Kiço Nano: Po, po të gjithë ngjarjen. Jo hiç fare, sikur s’kishte ndodhur asgjë, nuk ishin penduar.
Gazetari: Çfarë ndodhi pas vendimit, kur u vendos të vareshin në mes të Fierit?
Kiço Nano: Ajo çështje u hetua në kohë rekord dhe u gjykua në kohë rekord, pasi mori dënimin nga shkalla e para e Fierit, gjykata e lartë e la në fuqi vendimin, ish presidenti Berisha e miratoi dënimin me varjen në litar dhe u ekzekutuan më 25 qershor të ’92. Nga prilli në qershor, mendoj se edhe sot duhet të rishikohen hetimet, sidomos shpejtësia në hetime ka të bëjë shumë në parandalimin e krimeve të tjera.
Gazetari: Pas asaj periudhe pati krime të kësaj natyre?
Kiço Nano: Pati nja 2-3 vjet, edhe në Fier edhe më gjerë sikur ra, pati një rënie, u ndje ekzekutimi i tyre.
Gazetari: Mendoni se duhet të vendoset sërish një dënim i tillë?
Kiço Nano: Lufta më e madhe duhet të ishte bërë në kohën kur u hoq, të mos hiqej, tani që është hequr është vështirë të rivihet përsëri.
Gazetari: Pas 29 vitesh ndodhi sërish një ngjarje e tillë edhe po në Fier, çfarë mendoni për këtë ngjarje?
Kiço Nano: Ajo është makabre, s’ke çfarë thua, është tepër e rëndë, s’ke çfarë emri ti vësh, nuk ka shpjegim dhe fjalë, nëse do isha prokuror do jepja dënimin maksimal që ka ligji! Dënimi sot kush është, burgimi i përjetshëm.
Pas Fierit, Vlorës, familjarët e Mateos kanë shkuar edhe në Lushnje për të mbledhur firma për peticionin që synon dënimin kapital për Klodian Çalamanin. Përmes këtij peticioni familjarët synojnë dënimin me vdekje të 38-vjeçarit. Peticioni është firmosur dhe nga qytetarë të shumtë, të cilët të tronditur nga ngjarja e rëndë, kërkuan varjen e tij në mes të qytetit të Fierit.
/Burimi: TCH/