Senati amerikan konfirmon ambasadorin e ri të SHBA-së në Kosovë

Jeffrey Hovenier do të jetë ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Emërimi i tij u konfirmua nga Senati amerikan.

Hovenier është diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Muajin e kaluar, në një seancë dëgjimore para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Hovenier ka thënë se, nëse konfirmohet në postin e ambasadorit, ai do ta ketë prioritet vazhdimin e mbështetjes amerikane për një Kosovë sovrane e demokratike.

Ai po ashtu ka thënë se do ta inkurajojë Kosovën për konstruktivitet dhe fleksibilitet në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Hovenier është nominuar për ambasador në Kosovë në muajin korrik, nga presidenti amerikan, Joe Biden. Për të marrë detyrën ka qenë i nevojshëm konfirmimi i Senatit.

Hovenier do ta zëvendësojë në këtë pozitë ambasadorin e deritanishëm amerikan, Philip Kosnett, mandati i të cilit përfundon në fund të vitit. Kosnett është larguar nga Kosova pak muaj më parë, ndërsa në detyrë ka mbetur zëvendësi i tij, Nick Giacobbe.

Por, kush është Jeffrey M. Hovenier?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden e emëroi në korrik diplomatin Hovenier për postin e ambasadorit të Kosovës. Ai është një diplomat karriere në Departamentin e Shtetit, i cili së fundmi ka shërbyer si zëvendës ambasador i Shteteve të Bashkuata në Ankara të Turqisë.

Nga gushti 2018 deri në korrik 2019 ai ka qenë i ngarkuari me punë në atë ambasadë. Më herët, ai ishte zëvendës shef në detyrë i Misionit dhe ministër këshilltar për Çështjet Politike në Ambasadën amerikane në Berlin të Gjermanisë.

Ai ka shërbyer gjithashtu në misionet e Shteteve të Bashkuara, në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru, në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Hovenier ka përvojë në Kosovë, pasi ka shërbyer në ekipin e të Dërguarit të Posaçëm të OKB për statusin politik, Martti Ahtisaari. Në vitin 2018, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e nderoi Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, “për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Gjatë ceremonisë për dhënien e medaljes, Presidenti Thaçi e falënderoi diplomatin amerikan “për kontributin në Konferencën e Rambujesë, në procesin e Vjenës dhe në procesin e shtetndërtimit të Kosovës”.

“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, ishte shprehur diplomati Hovenier.

Nëse konfirmohet nga Senati amerikan, Hovenier do të zëvendësojë ambasadorin Philip S. Kosnett, i cili u emërua nga ish-Presidenti Donald Trump në korrik të vitit 2018, u konfirmua nga Senati në shtator dhe filloi detyrën si ambasadori i pestë amerikan në Republikën e Kosovës në dhjetor të atij viti.

Në Uashington, diplomati Hovenier, ka shërbyer si Drejtor për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore.

/Burimi: REL/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *