Richard Ayvazyan dhe gruaja e tij, Marietta Terabelian, vodhën miliona nga fondet e ndihmës së Covid-19 , dhe u larguan nga shtëpia e tyre në Kaliforni, duke braktisur 3 fëmijët e tyre adoleshentë. Ata madje lanë një shënim për fëmijët të moshës 13, 15 dhe 16 vjeç, shkruan CNN
“Ne do të bashkohemi një ditë,” shkruhej në letër, sipas avokatit të Ayvazyan. “Kjo nuk është një lamtumirë, por një pushim i shkurtër nga njëri-tjetri.”
Ky ishte fundi i gushtit. Pothuajse tre muaj më vonë dhe pesë muaj pas dënimit të tyre në qershor çifti ende nuk është gjetur. FBI është në kërkim të tyre. Por kjo nuk e ndaloi një gjykatës këtë javë që të dënonte Ayvazyan, 43, dhe Terabelian, 37, në mungesë me 17 dhe 6 vjet burg, respektivisht. Prokurorët thanë se ata dhe të tjerët kryen një skemë për të vjedhur më shumë se 20 milionë dollarë fonde ndihmash të destinuara për bizneset e vogla gjatë pandemisë, raporton abcnews.al
Çifti dhe vëllai i Ayvazyan, Artur Ayvazyan, 41 vjeç, u shpallën fajtorë se kishin mashtruar bankat dhe për pastrim parash në një gjyq në qershor. Richard Ayvazyan dhe vëllai i tij u dënuan gjithashtu për mashtrim identiteti.
Sipas dokumenteve të gjykatës dhe provave të paraqitura në gjyq, ata përdorën identitete të rreme ose të vjedhura duke përfshirë emrat e njerëzve të vdekur dhe studentëve të këmbimit valutor që vizituan shkurtimisht SHBA-në vite më parë. Ata dorëzuan dokumente të rreme identiteti së bashku me formularët e falsifikuar të taksave dhe të dhënat e listës së pagave te huadhënësit dhe Administratës së Biznesit të Vogël, thanë prokurorët federalë.
Çifti, së bashku me vëllain e Ayvazyan dhe pesë bashkëpunëtorë, i përdorën paratë për të blerë pallate në tre qytete të Kalifornisë Jugore – Tarzana, Glendale dhe Palm Desert së bashku me monedha ari, diamante, mobilje, orë luksoze dhe motoçikleta, thanë prokurorët.
Është e paqartë nëse Richard Ayvazyan organizoi skemën, por nga tetë personat e dënuar deri më tani, ai mori dënimin më të gjatë – 17 vite. Askush tjetër nuk u dënua me më shumë se gjashtë vite. Vëllai i tij, Artur Ayvazyan, u dënua me 5 vite.
FBI ka ofruar një shpërblim prej 20, 000 mijë dollarësh për këdo që jep informacione për çiftin.
/Burimi: CNN/ Përshtati: Priza.al/