Presidenti i Republikës Ilir Meta, priti sot në një takim Ministrin për Europën dhe Çështjet Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Michael Linhart.
Kreu i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve, marrëdhëniet dhe miqësinë e fortë tradicionale mes dy popujve, si dhe shprehu vullnetin e Tij për nxitjen e tyre në fushën ekonomike, tregtare, në turizëm, arsim e kulturë, si dhe rritjen e investimeve austriake në Shqipëri.
Dimensioni i bashkëpunimit rajonal dhe shumëpalësh mes dy vendeve fiton një rëndësi të posaçme, me Shqipërinë si vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për periudhën 2022-2023.
Presidenti Meta falënderoi Ministrin Linhart për mbështetjen e sinqertë dhe shumë të rëndësishme, që Austria vazhdon t’i japë Shqipërisë dhe gjithë rajonit në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, posaçërisht në hapjen e bisedimeve të pranimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut dhe liberalizimin e vizave me Kosovën.
/Priza.al/