‘Klimë e re bashkëpunimi’/ Nikolla thirrje nxënësve: Ejani në Kuvendin e Shqipërisë, zëri juaj do të dëgjohet

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, përshëndeti hapjen e punimeve të Legjislaturës së II-të të Parlamentit të Nxënësve të Shqipërisë, i cili zhvilloi punimet sot paradite në sallën e seancave plenare të Kuvendit.

Kjo veprimtari u organizua nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, ndërsa mori pjesë edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Evis Kushi.

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla iu bëri thirrje nxënësve të vijnë në Kuvendin e Shqipërisë dhe se zëri i tyre do të dëgjohet. Ajo tha se në Kuvend po përpiqemi të krijojmë një klimë të re bashkëpunimi, dialogu dhe debati midis grupeve parlamentare, midis maxhorancës dhe opozitës.

Fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla
“Arsyeja që na ka mbledhur sot është ndër ngjarjet më të gëzueshme për mua, si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë.
Nuk e them se kështu duhet thënë, por ndjej realisht një kënaqësi të veçantë që jam sot me ju, në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, për të ndjekur çeljen e punimeve të Legjislaturës së II-të të Parlamentit të Nxënësve të Republikës së Shqipërisë.
Para pak më shumë se dy muajsh filloi punimet legjislatura e X-të e Kuvendit të Shqipërisë dhe unë dëshiroj të ndaj me ju atë qëk am ndarë me deputetët, grupet parlamentare, qytetarët e Shqipërisë dhe median.

Në Kuvend po përpiqemi të krijojmë një klimë të re bashkëpunimi, dialogu dhe debati midis grupeve parlamentare, midis maxhorancës dhe opozitës.
Kjo klimë e re është e domosdoshme për të ndihmuar vendin tonë të ecë më shpejt drejt destinacionit evropian.

Për të avancuar e thelluar reformat, në të mirë të të gjithë qytetarëve. Për ta bërë jetën tuaj më të bukur, më cilësore, më të sigurt dhe më të mbrojtur nga pandemia e rreziqet e tjera.

Që ju të merrni një arsim cilësor, shprehi praktike që t’ju bëhen të dobishme e t’u shërbejnë në jetë, vlera kulturore demokratike, të cilat ju bëjnë qytetarë të denjë, për sot e në të ardhmen.

Zgjedhja e Parlamentit të Nxënësve është një ngjarje e shënuar për sistemin tonë arsimor sepse nxit e fuqizon pjesëmarrjen aktive të nxënësve në proceset e vendimmarrjes dhe në rritjen e cilësisë së procesit arsimor.

Por është më tepër se kaq, është një ngjarje e shënuar për sistemin demokratik sepse ju pajiseni me koncepte më të qarta e më të drejta për demokracinë dhe institucionet demokratike, me aftësi organizimi, protagonizmi e lidershipi.

Ne, Parlamenti i Shqipërisë, dhe Parlamenti juaj, kemi disa ngjashmëri numerike e strukturore: numër të barabartë anëtarësh dhe komisione pak a shumë të njëjta.
Unë kam besim se këto ngjashmëri do të na shërbejnë të dy palëve për të shkëmbyer eksperiencat më të mira të debatit parlamentar, ndjekjes së problemeve e shqetësimeve të votuesve e qytetarëve etj.

Por unë do t’ju inkurajoja që ju të ndjeheni të lirshëm dhe të sillni në debatin tuaj çështjet jo vetëm të moshës, interesave e pasioneve tuaja, por çështje që i interesojnë të gjithë shoqërisë.

Ne këtu, në Kuvendin e Shqipërisë, ndjehemi të nderuar të mësojmë nga ju.
Dje në Kuvendin e Shqipërisë u konstituua Grupi i Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” dhe unë kam marrë përgjegjësinë e drejtimit të këtij Grupi. E konsideroj këtë përgjegjësi, si një shërbimin tim të lartë, si grua, nënë, qytetare e parlamentare.

Një ndër prioritetet e punës së Grupit “Miqtë e Fëmijëve” dhe të Kuvendit është mbrojtja e fëmijëve nga dhuna.
Dhuna ndaj fëmijëve është turpi i një shoqërie. Duke toleruar dhunën ndaj fëmijëve, çdo komunitet, shkollë e familje dhunon vetveten.
Këtë të keqe shoqërore do ta ndalim, kur secila e secili prej nesh, pavarësisht detyrave e roleve shoqërore, të kuptojë se dhuna ndaj cilitdo fëmije, është dhunë ndaj fëmijës tim, është dhunë ndaj meje.

Duke krijuar kushte për plotësimin e nevojave fizike, emocionale, shpirtërore dhe zhvillimin e lirë të fëmijëve, për rritjen e tyre në një mjedis të sigurt, të qëndrueshëm dhe edukues, që krijon shpresa, mundësi e perspektiva, çdo shoqëri edukon, emancipon vetveten dhe garanton të ardhmen e saj.
Shumë shpejt në Kuvendin e Shqipërisë, ngjitur me këtë sallë, do të ngrihet Punishtja e Demokracisë, si një qendër e debatit demokratik rinor, ku ju do të keni të gjitha mundësitë dhe aksesin për të ushtruar aftësitë dhe konsoliduar shprehitë tuaja demokratike, vlerat, dijet, talentin dhe pasionin tuaj për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë.

Dhe këtë mundësi do ta keni, jo vetëm duke ushtruar debatin e mërzitshëm parlamentar, por me teknikat, teknologjinë dhe forma krijuese e argëtuese, madje edhe nëpërmjet lojërash, të cilat kultivojnë dijet, aftësitë, shprehitë dhe vlerat demokratike. Ndër këto lojëra interesante me vlera edukative në formimin e shprehive, por edhe argëtuese janë “Parlamenti në pëllëmbë të dorës” dhe “Këndvështrimi im”. Ejani në Kuvendin e Shqipërisë, që zëri i juaj të dëgjohet! Ju faleminderit dhe punë të mbarë Parlamentit të Nxënësve të Shqipërisë!”

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *