Protestat kundër masave anti-COVID kanë shpërthyer kudo në Europë. Në Hollandë protestuesit u përplasën ashpër me policinë. Ata hodhën fishekzjarrë dhe dogjën biçikleta në Hagë.
7 protestues janë arrestuar, ndërkohë 3 të tjerë janë plagosur dhe po marrin ndihmë mjekësore. Zyrtarët kanë shpallur një urdhër emergjence në qytet.
Nga këto përplasje me turmën kanë mbetur të plagosur edhe 5 efektivë policie.
Këto trazira dy ditë më parë u bënë të dhunshme, ku policia hapi zjarr ndaj protestuesve.
Holanda vendosi një bllokim të pjesshëm tre-javor të shtunën e kaluar pasi regjistroi një rritje rekord të rasteve me COVID. Baret dhe restorantet duhet të mbyllen në orën 20:00 dhe tifozët janë të ndaluar në stadiume.
Mijëra demonstrues dolën gjithashtu në rrugë në Austri, Kroaci dhe Itali për të kundërshtuar masat anti-COVID të vendosura nga autoritetet për të parandaluar përhapjen e virusit.
Në Vjenë protestuesit nuk janë dakord me masat e reja të ndërmarra nga qeveria se të pavaksinuarit duhet të izolohen në shtëpi, ndërsa në Kroaci , mijëra njerëz marshuan në kryeqytetin Zagreb për të treguar kundërshtuar vaksinimin e detyrueshëm për punonjësit e sektorit publik, ndërsa në Itali , disa mijëra protestues u mblodhën në terrenin antik të garave me karroca ‘Circus Maximus’ për të kundërshtuar certifikatat “Green Pass” që kërkohen në vendet e punës dhe në transportin publik.
OBSH ka shprehur shqetësim për rritjen e rasteve Covid, ku drejtori i saj rajonal, Hans Kluge tha për BBC-në se nëse masat nuk forcohen në të gjithë Evropën, gjysmë milionë vdekjesh të tjera mund të regjistrohen deri në pranverën e ardhshme.
“Covid-19 është bërë edhe një herë shkaku i rritjes së numrit të vdekjeve në rajonin tonë. Ne e dimë se çfarë duhet bërë për të luftuar virusin, si vaksinimi, mbajtja e maskave dhe përdorimi i certifikatave COVID”, tha Kluge.