“Pothuajse të gjithë gjermanët do të vaksinohen, kurohen ose do të vdesin deri në fund të dimrit”.
Kështu deklaroi ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, në një konferencë për shtyp në Berlin, duke iu drejtuar një thirrje dramatike qytetarëve që të vaksinohen.
Ai pranoi se disa e kishin përshkruar këtë pikëpamje si cinike.
“Por është e vërtetë. Me variantin Delta shumë ngjitës, kjo është shumë e mundshme dhe kjo është arsyeja pse ne po rekomandojmë vaksinimin kaq urgjent”, shpjegoi Spahn.
“Kjo është arsyeja pse ne rekomandojmë kaq urgjentisht vaksinimin”, shtoi ai.
Ministri i Shëndetësisë u bëri thirrje gjermanëve që të vaksinohen, duke përfshirë edhe vaksinat përforcuese, nëse raundi i parë i vaksinimit ka ndodhur më shumë se gjashtë muaj më parë, për të zvogëluar rrezikun e sëmundjeve të rënda.
Shifrat zyrtare treguan më shumë se 30 000 raste të reja të konfirmuara në Gjermani gjatë 24 orëve të fundit, një rritje prej rreth 50%, krahasuar me një javë më parë. Spitalet kanë paralajmëruar se kapacitetet e ICU janë pothuajse të shteruara, me disa pacientë që duhet të transferohen në klinika të tjera larg.
Gjermania pret që Bashkimi Europian të miratojë vaksinat kundër COVID-19 për fëmijët e moshës 5-11 vjeç në fund të javës, tha ai. Fëmijët e moshës shkollore kanë ndër normat më të larta të infeksionit në vend.
BE-ja do të fillojë dërgimin e vaksinave të përshtatura për fëmijët më të vegjël më 20 dhjetor, dhe Gjermania fillimisht do të marrë 2.4 milionë doza.
Ndërkohë kancelarja gjermane në largim Angela Merkel tha të hënën se vendi nuk po bën mjaftueshëm për të trajtuar një valë në rritje të infeksioneve me coronavirus, pasi profesionistët mjekësorë paralajmëruan se spitalet në disa rajone tashmë po luftonin me mbingarkesë.
“Ne kemi një situatë shumë dramatike. Masat e vendosura aktualisht nuk janë të mjaftueshme”, tha Merkel, sipas burimeve nga një takim i udhëheqjes së partisë në Berlin, shkruan dpa.
“Ne kemi një situatë që tejkalon çdo gjë që kemi parë më parë”, citohet të ketë thënë tutje ajo.
Sipas saj, kufizimet aktuale për personat e pavaksinuar nuk do të jenë të mjaftueshme për të frenuar përhapjen e virusit. Merkel vuri në dukje numrin e rasteve të reja, i cili po dyfishohet çdo 12 ditë në vend.
Por pavarësisht urgjencës së situatës, vlerëson dpa, qeveria e Merkelit është frenuar nga ndërmarrja e çdo veprimi drastik për faktin se ajo po vepron në një rol kujdestar që nga zgjedhjet në shtator.
Konservatorët e saj humbën zgjedhjet dhe partnerët e tyre socialdemokratë po negociojnë aktualisht për të nisur një koalicion të ri me të Gjelbrit dhe FDP.
Të hënën, zëdhënësi i Merkelit tha se koalicioni në largim nuk do të marrë një vendim nëse do ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin në Gjermani – një temë jashtëzakonisht e diskutueshme dhe diçka që Merkel dhe politikanë të tjerë e kishin përjashtuar vazhdimisht.
Ndërkohë, një profesionist kryesor i kujdesit intensiv paralajmëroi të hënën se situata në spitalet gjermane po përkeqësohej.
“Situata rreth rasteve me coronavirus është shumë shqetësuese dhe aktualisht nuk është nën kontroll”, tha Gernot Marx, president i organit të industrisë DIVI.
Ndryshe, mbi 3,670 pacientë Covid-19 aktualisht po marrin kujdes intensiv në Gjermani, pothuajse 1,200 prej të cilëve u pranuan javën e fundit. Liderët politikë gjermanë kanë kërkuar nga popullata që të vaksinohet ndërkohë që deri të hënën, 68 për qind e gjermanëve ishin plotësisht të vaksinuar.
/Burimi: thelocal.de/ Përshtati: Priza.al/