Rama dhe ministrja Ibrahimaj prezantojnë paketën fiskale: 110 mijë biznese të vogla, tatohen zero! Objektiv heqja e stresit…

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj kanë prezantuar sot paketën fiskale me një përfaqësi të biznesit të vogël.

Ai deklaroi se bizneset ishin 60 mijë dhe tatoheshin 10% në 2013, ndërsa sot bizneset e vogla janë 110 mijë dhe tatohen zero. Rama u ndal dhe tek fiskalizimi, duke theksuar se objektivi është heqja e stresit për sipërmarrësit.

“Dua të sjell këtu disa shifra, duke filluar nga njëra e cila është kuptimplotë duke pasur parasysh pamjen e situatës ku ndodhemi, duke u nisur nga ku e ndërmorëm këtë përpjekje në krye të herës. Bizneset ishin 60 mijë dhe tatoheshin 10%. Sot bizneset e vogla janë 110 mijë dhe tatohen zero. Kjo vlen edhe për t’iu thënë të gjithë atyre që flasin për falimentime, mbyllje e shkatërrime dhe në radhë të parë atyre që bien pre e kësaj propagande se në terrenin e fakteve dhe shifrave biznesi i vogël është forca më e përkrahur dhe më e mbështetur nga qeveritë tona.

Tjetra që prapë është domethënëse, edhe pse ishin 60 mijë gjatë periudhës 2006-2013 kanë paguar 19 mld lekë tatime. Nga 2014-2021 duke qenë 110 mijë kanë paguar vetëm 5.7 mld tatime, 3 herë më pak. Do të thotë që diferenca nuk ka ikur në lumë, diferenca ka hyrë në familjet e këtyre sipërmarrësve të vegjël dhe bëhet fjalë për një diferencë jo të vogël, por 133 mln dollarë. Më tutje, sot ne kemi shifrën tjetër të rëndësishme për rimarrjen e gjithë ritmit nga biznesi i vogël pas mbylljes dramatike nga pandemia. Faktikisht në tetor të 2021, kur është bërë dhe numërimi më i fundit, janë 2400 biznese të vogla më shumë se sa përpara mbylljes nga pandemia. Patjetër që ka pasur biznese që kanë mbyllur aktiviteti, është normaliteti i këtij sistemi që kemi zgjedhur. Por ka pasur më shumë që janë hapur. Shifrat tregojnë që nuk bëhet fjalë për biznese që mbyllen e dalin me emër tjetër, por 2400 biznese më shumë. Me siguri ka luajtur rol dhe mbështetja jonë gjatë pandemisë.

Tjetra që është e rëndësishme, sot kemi hyrë në një fazë komplet të re për gjithë biznesin, në fazën e fiskalizimit. Kemi 67% të bizneseve të vogla me certifikatë elektronike dhe 32% biznese të vogla që kanë filluar të lëshojnë fatura të fiskalizuara.

Ministrja ka lënë një gjurmë të mirë tek Tatimet për integritetin e vet profesional dhe ndershmërinë në punë dhe ndërkohë drejtori i ri i tatimeve vjen dhe ai nga një eksperiencë e çmuar, por së bashku të dy janë në këtë përpjekje për të garantuar kapërcimin në një nivel tjetër të sistemit duke larguar dorën e inspektorëve nga fyti i cilitdo biznes. Na shërben revolucioni dixhital për këtë sepse gjithçka bëhet e lexueshme në kohë reale, ama kush punon me rregulla është zot në punën e vet dhe askush nuk vjen t’i trokasë në derë. Sistemi punon me një tru artificial inteligjent që në bazë risku jep indikacione për shtetin, për administratën tatimore apo dhe atë doganore se ku po ndodh një lëvizje e dyshimtë. Gjithë kontrolli zhvillohet mbi këtë bazë. E di shumë mirë që përtej gjithë mundit, përpjekjeve, zhvillimeve pozitive që janë siguruar falë punës së bërë dhe përtej të gjithë shprehjes së vullnetit të mirë nga pjesa më e madhe, në sistemin tonë tatimor, një pjesë e vogël, por mjaftueshmërisht problematike ka krijuar stres për sipërmarrësit. Heqja e këtij stresi është objektivi ynë. Së fundmi ministrja dhe drejtori kanë hartuar një strategji të ri për të qasur biznesin në këtë fazë të ndërmjetme, sepse akoma nuk e kemi kuadrin e plotë të fiskalizimit”, deklaroi Rama.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *