Federata Botërore e Taekvondo ka një “mjeshtër” të ri. Arti marcial korean, i përhapur tashmë kudo në botë, që në gjuhën e vendit aziatik do të thotë “arti i të shkelmuarit” – ka nderuar Trump-in me rripin e zi të nivelit të nëntë, më i larti që mund t’i jepet një personi.
Më shumë se i merituar, duhet thënë se titulli është i “dhuruar”. Sepse rripi i ri i zi, padyshim honorifik, është ai i Donald Trump, që ketë sport nuk e ka praktikuar kurrë në jetë.
“Di që Trump është shumë i interesuar pas sporteve marciale”, deklaroi kreu i Federatës, Lee Dong-seop, që fluturoi direkt nga Seuli në Florida, për të takuar ish-presidentin amerikan në vilën e tij në Mar-a- Lago.
“Është kënaqësi të marr këtë certifikatë, taekvondo është diçka e mirë për të mbrojtur botën, në këto kohëra”, deklaroi politikani miliarder, veshur në kostumin tradicional korean, duke premtuar ndër të tjerat se do ta vishte atë në momentin e parë që do të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë si president.
Por Trump nuk është politikani i vetëm që merr një nderim të tillë. Pikërisht, rripi i zi i nivelit të nëntë, përndryshe i njohur si dan-i i nëntë, i është dhuruar edhe presidentit rus, Vladimir Putin. Të paktën, në këtë rast, nderi duket më i merituar, pasi Putin, edhe pse nuk ka praktikuar taekvondo, zotëron rripin e zi në një tjetër art marcial, atë të xhudos.
Nga ana tjetër, Trump nuk harron të shkaktojë polemika edhe në raste të tilla. Në sfondin e zyrës së tij ku priti delegacioni koreano-jugor, e vetmja foto me një politikan ishte ajo me armikun e përbetuar të Seulit zyrtar, lideri suprem i Koresë së Veriut, Kim Yong Il. Ndoshta, po ta dinte, Federata e Taekvondo do të kishte përzgjedhur për Trump një ngjyrë më pak prestigjioze.
/Priza.al/