Paskuqani u trondit nga një krim i rëndë në familje, në janar të vitit 2020 në zonën e Paskuqanit.
Erdet Çapoku qëlloi disa herë me një shkop bejsbolli gruan e vëllait të tij Enkeleda Çapoku. Krimi i rëndë dyshet se ka si motiv kryesor xhelozinë, pasi bashkëshorti i të ndjerës ndodhet pas hekurave i dënuar me 10 vite burg për trafik lëndësh narkotike.
Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për Erdet Çapokun. Togat e zeza e kanë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e kunatës.
Si ndodhi ngjarja
Enkelejda jetonte bashkë me nënën e saj dhe vajzën dhe kishte urdhër-mbrojtje që autori t ti qëndronte larg 100 metra pasi kunati e gjurmonte prej kohësh. Sipas denoncimit të bërë nga e ndjera, Çapoku, e gjurmonte këmba-këmbës, i bënte foto dhe video, pasi pretendonte se e reja ishte “amaneti” që i kishte lënë vëllai për t’u kujdesur, deri sa të dilte nga burgu.
Madje, edhe bashkëshorti i Enkeledës, i cili ndodhet në burg, ishte i frikësuar se i vëllai mund t’u bënte keq gruas e vajzës. Ai herë pas here i porosiste të afërmit që shkonin ta takonin në burg, që t’i ruanin nusen dhe vajzën nga i vëllai.
Në bisedën e fundit që kishte bërë me autorin e dyshuar, kur ky i fundit ka shkuar ta takojë në burg për t’i dërguar fotografitë e Enkeledës, ai ishte frikësuar edhe më shumë.
Duke qenë se vetë e kishte të pamundur ta mbronte, Elton Çapoku i kishte thënë motrës dhe vëllait tjetër të tij që ta mbanin larg Erdetin nga Enkeleda. Ndërsa u kishte kërkuar që të mos e lejonin të shkonte më në takim me të në burg, sepse nuk donte që të fliste më me të.
Para togave të zeza, Çapoku ka pranuar krimin dhe shfaqur pendesë, duke shtuar se e kishte marrë inat kunatës duke nisur nga momenti që ajo e kishte denoncuar në Polici për përndjekje.
Erdet Çapoku mësohet të ketë thënë se në momentin e ngjarjes kishte qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe se kunata ishte mjaft gjaknxehtë .
“Me kunatën kemi patur disa keqkuptime në të kaluarën. Ajo ishte ishte shumë gjaknxehtë, nuk flitej me të. Madje m’i ktheu të gjithë njerëzit kundër meje. Jam penduar që e vrava, nuk duhet ta kisha bërë”, mësohet të ketë thënë ai.
Enkeleda Çapoku u vra nga kunati i saj në dhomën ku flinte me vajzën dhe nënën, në zonën e Paskuqanit në Tiranë. Ai ka hyrë me dhunë në shtëpinë ku banonte Enkeleda me një shkop dhe një thikë me vete.
Pasi ka hyrë në banesë, autori ka thyer edhe derën e dhomës ku flinin Enkeleda, nëna dhe vajza e Enkeldës dhe është konfliktuar me këtë të fundit. Nëna është futur në mes por nuk ia ka dalë dot të parandalojë ngjarjen e rëndë.
/Priza.al/