Arber Çekaj, pronari i nje kompanie frutash ekzotike në kamionët e të cilit u kap një sasi e konsiderueshme kokaine, tashmë në burg, është futur edhe në regjimin e posaçëm “41-biss”. Çekaj është i dënuar për trafikimin e 613 kg kokaine nga Kolumbia në Durrës, qe u sekuestruan në magazinat e “Arbri Garden”.
GJKKO, e ka dënuar me 21 vite burg vitin e kaluar, por ai do të vuajë 14 vite heqje lirie për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Arbër Çekaj, Donald Lushaj dhe Armando Pezaku, u dënuan për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “trafik ndërkombëtar narkotikësh në bashkëpunim”, pasi iu sekuestrua sasia më të madhe e kokainës të kapur ndonjëherë në Shqipëri, me një vlerë prej 180 milionë dollarësh.
Pak muaj më parë, Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri, tentuan që të arratiseshin nga burgu 313 me anë të një plani të strukturuar nga vetë ata por dështuan nëë momentet e fundit.
Ky vendim vjen pasi pak ditë më parë Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka paralajmëruar se do të ketë të tjerë të dënuar që do të futen në regjimin e posaçëm “41-biss”, ose ndryshe i quajtur “burgu i egër”.
Po kush janë katër emrat që do i nën shtrohen regjimit 41 biss?
(Arbër Çekaj)
Arbër Çekaj
Arbër Çekaj është dënuar me 14 vite burg për trafik droge. Ai është pronari i kontejnerit me banane i kapur me 613 kg kokainë në Portin e Durrësit. Arbër Çekaj u dënua me 21 vite burg, por përfitoi ulje nga gjykimi i shkurtuar dhe do të vuajë 14 vite burg.
Ai është dënuar si pjesë e grupit kriminal të trafikut të kokainës pasi iu kap sasia prej 613 kg kokainë më 27 shkurt 2018 që e kishte fshehur në dyshemenë e konteinerit me banane. Në muajin gusht, ai tentoi së bashku me Fatmir Pjetrin që të arratiseshin nga burgu 313, por kjo tentativë e tij rezultoi e dështuar.
(Aleksandër Llanaj)
Aleksandër Llanaj
Aleksandër Llanaj nga qyteti i Vlorës njihet për Masakrën e 7 Prillit në 2015-ën të ndodhur në Vlorë. Gjykata e Apelit në Vlorë, asaj kohe e ka dënuar me 35 vjet heqje lirie dhe me nga 24.4 vite burg shtetasit Ani Begajn dhe Bertil Aliajn. Që të tre këta persona u shpallën fajtorë për një vrasje të trefishtë të ndodhur në prill të vitit të kaluar në qytetin e Vlorës.
Seanca ndaj këtyre shtetasve është zhvilluar me gjykim të shkurtuar dhe për këtë ata kanë përfituar uljen e dënimit me 1/3-tën, pasi më herët gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë e cila kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për Llanajn dhe dënimin me 35 vite burg për 2 të tjerët.
(Fatmir Pjetri)
Fatmir Pjetri
33-vjeçari është nga Puka rezulton i dënuar më parë në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë. Pas ardhjes në Shqipëri në vitin 2013 ai u bë pjesë e “Bandës së Babagjyshëve”. Ai ka marrë pjesë në të gjitha grabitjet e bëra nga banda e “Babagjyshëve”, që u shtrinë në të gjithë vendin, në Tiranë, Kuçovë, Durrës, Berat, Lezhë, Fushë-Krujë, Laç dhe Shkodër.
Grabitja që bëri më shumë bujë ishte ajo në një qendër tregtare në Tiranë, ku u grabit një argjendari. Pas kësaj ngjarje ai u arrestua në 24 nëntor të 2017. Pjetri kryente çdo grabitje pa lënë gjurmë, pa shkaktuar viktima dhe në një kohë prej 3 minutash.
Pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar, ai deklaroi: “Nuk e di cili njeri shpik për emrin tim, por unë jam i pafajshëm. Policia të më akuzojë me fakte reale dhe jo me sajesa”.
(Redjan Rraja)
Redjan Rraja
Redjan Rraja rezulton të jetë përfshirë në dy ngjarje kriminale, të cilat krijuan impakt të madh në opinionin publik shqiptar. Njëra ishte vrasja e Elton Çiços dhe tjetra dhuna e ushtruar ndaj Xhisiela Malokut. Ai është dënuar me 8 muaj burg nga Gjykata e Tiranës, pasi u akuzua për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” në vrasjen e mikut të tij, Elton Çiço, më datë 1 maj të 2016.
Në atë kohë, gjykata akuzoi Redjan Rrajën se kishte treguar veprimet e viktimës në shoqërinë e tij, para se ai të qëllohej për vdekje, në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Rraja ka qenë i ulur në tavolinë me Çiçon, kur ky i fundit është qëlluar me breshëri plumbash, duke mbetur i vdekur në vend. Ndërkohë, emri i Redjan Rrajës del edhe në ngjarjen e bujshme të dhunës së ushtruar ndaj Xhisiela Malokut.
Ishte ish-oficeri i Fushë Krujës, Emiljano Nuhu, që kallëzoi në komisariatin numër 6, në Tiranë, se është kërcënuar nga Redjan dhe Ramazan Rraja, për çështjen “Xhisiela”.
“Ne e shkrijmë të gjithë komisariatin dhe ty s’të kemi asgjë. Do të të zhdukim ty bashkë me familjen, po thirre më njeri nga fisi jonë ta marrësh në pyetje. Do të zhdukim ty bashkë më familjen tënde për 24 orë nëse vazhdon merresh me ne dhe mos të të shohim më në Fushë Krujë. Ligjin në Fushë Krujë e bëjmë ne dhe jo ti”,- mësohet se i kishin thënë oficerit, Redjan dhe Ramazan Rraja.
Çfarë është regjimi i posaçëm ‘41-bis’
Ligji për regjimin e posaçëm njohur si “41-bis” i përshtatur nga Italia ka hyrë në fuqi prej Janar 2019 por zbatimi i tij është vonuar për mungesë të SPAK që u ngrit vetëm në dhjetor 2019. Regjimi “41-bis” është qëndrimi prej një periudhë deri në një vit në një dhomë të monitoruar me kamera 24 orë, pa takime pa kontakt me botën jashtë, pa të drejtë të televizorit në dhomë.
/Priza.al/