Jemi mësuar të shohim aeroplanë të mëdhenj duke u ulur në aeroporte të zakonshme, por a keni parë ndonjëherë aeroplan gjigant “Airbus A340’ me katër motorë duke aterruar në një pistë të akullt të Antarktidës?
Në një video të publikuar në internet shihet ulja e parë e një avioni të tipit “Airbus A340” në një pistë të akullt të Antarktidës.
Ekuipazhi i “Hi Fly 801” u drejtua nga kapiteni Carlos Mirpuri, i cili është gjithashtu edhe zv.president i kompanisë ”Hi Fly”.
Fluturimi zgjati pesë orë e gjysmë dhe ekipi kaloi më pak se tre orë në breg në Antarktidë, duke mbuluar 2500 milje detare.
“Pista është bërë nga pajisje speciale, që ka një koeficient adekuat frenimi”,- theksoi kompania.
Avioni u ul në pistën e akullt të martën pas një fluturimi prej rreth 4500 kilometrash, për më shumë se pesë orë nga qyteti “Cape Town” i Afrikës së Jugut, shkruan “Daily Mail”.
Shtresa e akullit në atë pjesë është e trashë gati një milje dhe pa problem mund ta mbajë edhe peshën e një avioni “Airbus A340” të ngarkuar me njerëz dhe materiale për shkencëtarët që po studiojnë ndryshimet klimatike në kontinentin e akullt.
Fluturimi i parë i regjistruar në Antarktidë ishte një monoplan “Lockheed Vega 1”, në vitin 1928, i drejtuar nga George Hubert Wilkins, një pilot dhe eksplorues ushtarak australian.
Fluturime të shkurtra si këto, ishin mënyra se si shkencëtarët dhe hartografët fituan informacion jetik për topografinë e Antarktidës.
Deri më sot, nuk ka aeroport në Kontinentin e Bardhë, por ka rreth 50 pista ajrore.
Australia dhe Afrika e Jugut janë vetëm dy nga fuqitë globale, me interesa në Antarktidë.
Meqenëse shumica dërrmuese e njerëzve mbërrijnë në “Kontinentin e Bardhë” me anije, të shohësh një “A340” duke u ulur në një pistë akulli, është sigurisht e këndshme.
/Burimi: Daily Mail/Përshtati: Priza.al/