FOTO/ Sot mbushen 30 vite nga masakra e 2 Prillit 1991 në Shkodër… dhe disa detaje interesante nga ajo ngjarje  

Data e sotme 2 Prill 2021, për shumë kënd është një ditë zakonshme dhe kjo datë shumë të tjerëve të lindur pas viteve ’90-të, nuk u thotë asgjë. Por si sot plot 30 vite më parë, më 2 prill 1991, në Shkodër ndodhi një ngjarje që tronditi jo vetëm këtë qytet por edhe të gjithë Shqipërinë.

Ajo ditë do të ishte edhe masakra e fundit e regjimit komunizmit në Shqipëri që po jepte shpirt.

Ajo që do të niste si një protestë masive qytetare në Shkodër, do të çonte më pas në një konfrontim të ashpër me forcat e rendit të asaj kohe dhe më pas deri në përshkallëzimin e ekzekutimit të 4 personave të pafajshëm.

Pikërisht pas zgjedhjeve të marsit 1991, edhe pse ishte rrëzuar busti i Enver Hoxhës në Tiranë disa muaj para, shteti autoritar vazhdonte të ishte në këmbë.

Katër viktima e dhjetëra të plagosur ishin pasojat e plumbave të shkrepur nga forcat policore drejt turmës që protestonte. Bujar Bishanaku, Arben Broci, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, ishin të vrarët e asaj dite, sot të shpallur martirë të demokracisë.

Në këto fotografi tregohen qartë e me detaje se çfarë ndodhi më 2 prill, në qytetin e Shkodrës. Protestuesit mësynë godinën e Komitetit Qendror të Partisë së Punës dhe që andej hidhnin dokumentet nga dritaret në oborr.

Fotot që sjellim sot janë fiksuar nga fotografi shkodran Angjelin Nënshati, i cili nuk jeton më, por djemtë e tij, pasardhës në këtë profesion, i kanë ruajtur dhe publikuar ato për publikun.

Ndërkohë për këtë ngjarje historiani dhe studiuesi i njohur, gazetari Kastriot Dervishi, ka sjellë po sot disa detaje shumë interesante rreth kësaj ngjarjeje.

Arkivë

“2 prilli 1991 dhe disa të dhëna

Më 2 prill 1991 u bë demonstrimi i rreth 20 mijë vetave (sipas burimeve dokumentare) përpara Komitetit të PPSH-së në Shkodër. Në informacionin e parë të drejtuar në Tiranë, thuhej se “grupe vandalistësh, të organizuar, kanë bërë miting të kundërligjshëm në qytetin e Shkodrës”, duke thirrur: “Poshtë Partia e Punës”, “Enver-Hitler”, etj.

Ky informacion është interesant pasi thotë shprehimisht ‘në përpjekje me forcat e rendit’ ishin vrarë 3 persona dhe plagosur 11 të tjerë”, ndërsa nga forcat e degës ishte plagosur shefi i Policisë, zëvendësshefi i Policisë, dhe komandanti i repartit të Policisë, etj., si dhe plagosur e rrahur sekretari i Komitetit të Partisë së Rrethit.

Teksti që është i datës 2 prill 1991 nuk justifikon asnjë vrasje të ndodhur, por i pranon si veprime normale të ndodhura në atë situatë. Në një raport të mëvonshëm personat e vrarë renditen kështu: Arben Broci, inxhinier në fabrikën e cigareve, anëtar i PD, 24 vjeç; Besnik Ceka, 29 vjeç, punëtor në NSHRAK; Bujar Bishanaku, vjeç 22, i pazënë në punë, anëtar i PD. Më 4.4.1991 vdiq nga plagët e marra në spitalin e Tiranës edhe Nazmi Kryeziu rreth 45 vjeç.

Me çeljen e sesionit të ri të Kuvendit Popullor, më 17.4.1991, Partia e Punës nuk pranoi të mbajë zi për ata që u vranë në 2 prill 1991.

2 prill 1991, misteret e vrasjeve që s'u zbardhën kurrë | 27.al

 

***

Pas ngjarjes u fol për arratisjen në Greqi të 5 policëve që kishin kryer shërbimin atë ditë. Duke i bërë një analizë të shkurtër atyre, rezulton se sikundër shefat e tyre, ishin shumë të indoktrinuar politikisht. Një karakteristikë e shkurtër e 5 policëve jepet më poshtë:

1-Lekë P., nënoficer, nga Mnellë e Vogël, vitlindja 1969. Polic nga data 16.7.1990. Me arsim 2-vjeçar policor. Kishte në fis anëtarë të PPSH-je. Sipas një pohimi “i ka marrë automatikun me dy këmbë një shoku tonë dhe ka qëlluar deri sa arma iu bllokua”. Sipas një deklarate tjetër kishte thënë: “Kam qenë me shërbim te komiteti i partisë dhe kam qëlluar me armë në drejtim të demonstruesve dhe kam vrarë”.

2- Pal V., nënoficer, nga Boga, vitlindja 1969. Polic nga data 16.8.1988. Me arsim 2-vjeçar policor. Sipas informacioneve të grumbulluara, pas ngjarjes ishte mbyllur në fshat dhe duke u mburrur deklaronte: “Kam marrë pjesë në biseda me forcat e rendit për të shpërndarë demonstruesit. Kam qëlluar me armë në drejtim të tyre. Jam plagosur në dorë dhe fytyrë nga gurët që hidhte turma”. Në origjinë kish pasur gjyshin partizan. Ishte bir anëtari partie dhe brigadieri kooperative.

3- Fahri R., nënoficer, nga Grizha i Shkodrës, vitlindja 1969. Polic nga data 1.1.1991. Kishte një dajë Hero të Punës Socialiste, një tjetër anëtar të PPSH-së. Një vëlla kandidat i PPSH-së. Ky ishte trembur sepse një anëtar i Partisë Demokratike e kishte trembur me një foto të 2 prillit 1991. Nga kjo kohë nuk donte më të bënte shërbim në Shkodër.

4- Përparim O., nënoficer, nga Gruemira e Shkodrës, vitlindja 1969. Kishte qenë 2 vjet ushtar dhe fill më pas polic nga data 16.10.1990. Shkruante se shtëpia e tij kish qenë “bazë e luftës nacionalçlirimtare”, ndërsa vëllai dhe dy xhaxhallarë ishin anëtarë të PPSH-së.

5- Nik P., nënoficer, nga Klosi i Mirditës, vitlindja 1967. Polic nga data 1.9.1987. Me arsim 2-vjeçar policor. Shkruante se gjyshi i tij kishte ndihmuar gjatë luftës partizanët, ndërsa në fis kishte 6 anëtarë partie.

Për dy të fundit, nuk disponoheshin të dhëna, por dihej që më 2 prill 1991 ishin me shërbim në Komitetin e PPSH-së në Shkodër”,- përfundon materialin e tij interesant studiuesi dhe dosieristi Kastriot Dervishi në lidhje me këtë ngjarje.

FOTOT e rralla të protestës së 2 prillit në Shkodër dhe misteret e 4 vrasjeve që s'u zbardhën kurrë – Gazeta Tema

Masakra e 2 prillit në Shkodër, zbulohen fotot e rralla

2 prill 1991 - 2 prill 2016 - 25 vitet e nji krimi të pandëshkuar - Opinione | Radi and Radi

May be an image of 12 people, people standing and crowd

/Fotot nga Angjelin Nënshati/Materialet arkivore: Kastriot Dervishi/Përgatiti: Priza.al/

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *