Kanë kaluar dy vite nga tërmeti i rëndë i 26 nëntorit ku mbetën të vdekur 51 persona si pasojë e lëkundjeve të forta që u shkaktuan.
Teksa ndodhemi një ditë para dy vjetorit të kësaj tragjedie të madhe, kryebashkiakia e Durrësit Emirjana Sako, ka folur në emisionin “Koha për t’u Zgjuar” në Neës24 rreth rindërtimeve që po bëhen pas tërmetit.
Nesër është data 26 nëntor, 2 vite më parë Durrësi u zgjua i tronditur nga një tërmet që shkaktoi viktima. A mund të bëjmë një bilanc dy vjeçar të asaj që ka ndodhur pas tërmetit?
Sako: Qeveria shqiptare ka pasur në prioritet programin e rindërtimit. Ne kemi realizuar rindërtimin e 214 ndërtesa individuale. Nga ana tjetër, brenda qytetit kemi bërë riparimin e 405 pallateve, punë të cilat qytetarët nuk i realizonin dot vetë. Kemi kthyer gjithashtu në jetë normale 4 mijë familje. Ka filluar procesi i rindërtimit të pallateve po aty ku kanë qenë. Presim brenda këtij viti të ndajmë apartamentet e para. Durrësi ka një buxhet të ndarë mes fondit shqiptar të zhvillimit dhe fondit të Abu Dabit për zhvillim. Sigurisht ky është volumi më i madh i punës. Kemi ende në proces me Institutin e Ndërtimit disa objekte që po marrin vlerësimin final të strukturave të tyre.
Ka ende njerëz që ankohen se nuk i janë bërë të qartë se çfarë do të bëhet me ta. Si do të vijohet?
Sako: S’ka qenë e lehtë. Gama e problemeve ka qenë e madhe. Për këtë arsye qytetarët kanë pasur nevojë të sqarohen. Problematikë më e gjatë kanë qenë objektet që kanë pasur kategori dëmi DS4 dhe vështirësia më e madhe ka qenë aty. Kemi ende 5 pallate në Institutin e Ndërtimit dhe do të shohim çdo të ndodhë. Kjo është çështje e institutit ne sipas rekomandimeve të tyre do të bëjmë vlerësimet përkatëse. Nuk mund të marrim vendime të nxituara kur do të japim garancinë për jetesën. Kemi 11 pallate në zbatim. Kemi projekte të tjera që janë financuar dhe 35 ndërtesa individuale ku do të fillojë puna shumë shpejt.
Ndërtesat që po zhvillohen në fshat si janë organizuar?
Sako: Qytetarët mund të aplikojnë për grant dhe të trajtohen me grant individual për të filluar rindërtimin vetë. Ne kemi dhënë rreth 102 grante për këto familje. Sigurisht duhet të depozitojnë në bashki dokumentet përkatës.
Qytetarët janë ankuar për mungesat e bonus të qirave. Si qëndron kjo çështje?
Sako: Në fillim të vitit 2020 ka pasur 6 mijë familje që përfitonin bonus. Ndërsa tani jemi përgjysmuar. Ka pasur vonesa në gusht-shtator, për shkak të miratimit të qeverisë së re. Ne kemi dhënë garancinë qytetarëve që do e përfitojnë bonusin e qirasë deri në momentin kur të vendosen në banesat e reja.
Shembja e Naim Frashërit?
Sako: Ky gjimnaz së bashku me Gjergj Kastriotin janë futur në programin e rindërtimit. Konkluzionet ishin që duhet shembur, kjo e thënë nga Instituti i Ndërtimit. Ne pikërisht për të qenë transparentë, kemi filluar edhe programin e dëgjesave ku prezantojmë këto objekte. Në informacionin tim, nëpërmjet fondeve të BE do të ndërtohen, po zgjidhen firmat fituese dhe vitin tjetër të nisë puna në këto hapësira.
Ndërtimi i obeliskut në Thumanë, si do të vijohet?
Sako: Ne kemi marrë masa për të pastruar inertet. Memorialet do specialitetet e vet dhe kohën e vet. Ne e kemi fokusuar punën te familjet. Por patjetër që këto sheshe do të rikonceptohen si të para dhe do të jenë sheshe publike.
Është zhdukur imazhi i atij tmerri i dy viteve më parë?
Sako: Nuk ka durrsak që do e harrojë atë ngjarje. Ne kemi bërë pjesën më të madhe të punës, por sigurisht që rindërtimi nuk është një program që i skadon afati, sepse ne po ndërtojmë një qytet i ri që është i shpërndarë në vende të ndryshme. Ne jemi fokusuar te rindërtimi i pallateve dhe dy lagje të reja, model. Këto s’do të jenë thjesht lagje me pallate, por do të kenë shërbime, infrastrukturë, kopshte, çerdhe.
Sako: Tani jemi në fazën që po hartojmë buxhetin. Puna jonë do të fokusohet në menaxhimin e mbetjeve në mënyrë që përballemi me sezonin turistik. Duam të ndërtojmë në njësitë administrative, një projekt të rëndësishëm për ndërtimin e ri të dy shkollave. Ky projekt do të bëhet me Bashkinë e Durrësit. Me qeverinë shqiptare kemi projekte ambicioze. Projekti i portit na prek të gjithëve. Jemi duke realizuar një shëtitore të rëndësishme në zonën e plazhit nga ana e bregdetit, t’i përgjigjemi kështu turizmit.
Amfiteatri, a do të ketë ndërhyrje?
Sako: Është i rëndësishëm për durrsakët. Do të bëhet një rikonstruksion. Do të rehabilitohen po ashtu disa objekte në bulevardin kryesor, për ta bërë këtë vend më atraktiv.
Mesazh i drejtpërdrejt për durrsakët?
Sako: Puna jonë është në shërbim të qytetarëve, meqenëse jemi në prag të festave i uroj festa të mbara e të jenë të lumtur me familjarët e tyre.