Deputeti i PD-së Tritan Shehu e ka uruar sot kryeministrin Edi Rama për duartrokitjet që sipas tij mori dje në parlamentin e Serbisë. Shehu deklaroi në seancën e sotme në Kuvend se ndërsa Rama dje bënte avokatinë e ‘Ballkanit të hapur’, edhe Vuçiçi vetë e kishte lënë në vetmi duke marrë rrugën për në Moskë.
Gjatë diskutimit në Kuvend, deputeti i PD-së Tritan Shehu ka kërkuar nga qeveria që të fokusohet në integrimin e vendit në BE dhe jo të Open Balkan, një projekt që sipas tyre ka dalë nga zyrat e Vuçiç dhe nuk ka mbështetjen e ndërkombëtarëve.
“Ndërsa Rama dje bënte avokatinë e atij projekti, edhe Vuçiçi vetë e kishte lënë në vetmi duke marrë rrugën për në Moskë.
Mbështes marrëveshjen IPA, Procesin e Berlinit, marrëveshje të Brukselit, kontrolluar, financuar e garantuar nga ai, me të barabartë të gjithë ne, edhe Kosovën. Këto janë të kundërta nga Projekti i Vuçiç për “Ballkanin e Hapur”, që na degdisin në Lindje dhe krijojnë hegjemonizmin serb në rajon
Ai theksoi më tej se ky projekt nuk ka mbështetjen e BE, as të vendeve anëtare.
Për Ballkanin e Hapur nuk ka sinjale mbështetëse nga Gjermania, SHBA ka kërkuar qartë pjesëmarrjen e 6 vendeve ndryshe nuk ka funksion. Ballkani i Hapur është shfaqje propagandistike e Beogradit. Nuk mund të hymë në këto skenarë me të ardhmen serbe, që një këmbë e gjysmë e ka në Moskë. Fokusi ynë integrimi në BE. Të përgatitemi për realizimin e projekteve Evropiane në shërbim të vendit dhe Rajonit”
Kjo qeveri veçse krijon kështu konfuzion edhe te partnerët duke u bërë tellall i projekteve të Serbisë, firmëtare edhe e Unionit EuroAzian të Rusisë.
Ne duhet të koncentrohemi te projektet Komunitare, ndryshe rrezikohemi të na përsëriten tragjeditë historike të së kaluarës, largimi nga Europa e Perëndimi gjatë pushtimeve otomane e komuniste”, tha Shehu.
Kjo nuk u pranua nga ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ku tha se qeveria arriti të kthejë diplomacinë shqiptare në histori suksesi dhe se Open Balkan nuk është nismë e PS-së, por vijim i procesit të Berlinit.” tha Xhaçka
Por Shehu tha se ky projekt ka dalë nga zyrat e Vuçiç dhe bie ndesh me interesat e Kosovës dhe integrimit në BE.
“Është një projekt i bërë në zyrat e Vuçiç dhe jo të PS, këtu keni të drejtë. Ballkani i Hapur bie ndesh me interesat e Kosovës dhe integrimit në BE. Ju po fusni në një impakt negativ të gjithë Ballkanin dhe po çorientoni edhe partnerët tanë”, tha Shehu.
/Priza.al/