Zyrtarisht jemi në kohën e vjeshtës, por në disa zona të vendit në Veri dhe Verilindje, dimri ka ardhur si pa trokitur.
Kështu këtë mëngjes janë rikthyer reshjet e dëborës në Dardhë të Korçës, ku në segmentin rrugor Boboshticë- Dardhë, nga km i 9 deri tek i 11-i, ka pasur reshje më të dendura.
Duke marrë shkas nga situata në fjalë, është dashur të ndërhyhet edhe nga mjetet borëpastruese, të cilat kanë bërë të mundur pastrimin e rrugës dhe shpërndarjen e kripës për të eliminuar ngricat.
Reshjet kanë filluar prej mëngjesit të sotëm me intensitet të ulët, ndërsa në disa vende janë shoqëruar edhe me erë të fortë. Trashësia e borës varion nga 3 deri në 5 cm.
Duket se bora e parë do të çojë këtë fundjave edhe vizitorët e parë në këtë fshat turistik, gjë që mund të sjellë edhe rëndim të trafikut. Por autoritete lokale duket se po i marrin të gjitha masat.
/Priza.al/