Masakra mjedisore me shtretërit e lumenjve që vijon prej disa dekadash në vendin tonë, këtë herë ka pasur disa përgjegjës dhe ka bërë disa “viktima”.
Plot 7 persona janë proceduar penalisht në qytetin e Lezhës, pasi akuzohen për ndërtim të paligjshëm, për shpërdorim toke dhe për vjedhje të kryer në bashkëpunim.
Ata janë identifikuar si E. L., 47 vjeç, K. Ll., 50 vjeç, I. L., 41 vjeç, Xh. Z., 37 vjeç, A. A., 33 vjeç, A. P., 49 vjeç dhe F. V., 26 vjeç, banues në Tiranë, Durrës dhe Kurbin.
Të gjithë janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Shet”, Skurraj, Kurbin, duke marrë inerte me kamionë, në shtratin e lumit Mat. Nga shërbimet e Policisë u sekuestrimi i një ekskavatori dhe i 3 kamionëve që shërbenin për marrjen e inerteve.
Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin filloi procedimi penal për shtetasit: H. M., 66 vjeç, banues në Fushë Mamurras dhe F. M., 50 vjeç, banues në fshatin Shullaz, Kurbin, pasi janë konstatuar duke kryer ndërtime pa lejen e organeve kompetente.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë proceduan penalisht shtetasit: Xh. K., 45 vjeç, banues në Tiranë, Ç. T., 48 vjeç, banues në Lezhë dhe D. B., 35 vjeç, banues në Fushë Krujë, janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, duke grumbulluar materiale inertesh, në lagjen “Sakë ” Ishull Shëngjin, pa lejen e organeve kompetente.
Gjithashtu janë proceduar penalisht shtetaset: D. Rr., 48 vjeçe, banuese në Pukë dhe M. Z.,60 vjeçe, banuese në Lezhë, pasi janë konstatuar duke hedhur materiale inerte në një sipërfaqe toke në Sakë, Ishull Shëngjin.
Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë u proceduan penalisht shtetasit: N. M., 52 vjeç, banues në fshatin Balldren, Lezhë, M. D., 33 vjeç dhe A. S., 27 vjeç, banues në Lezhë, pasi janë konstatuar duke kryer punime pa leje dhe kanë hedhur materiale inerte, pa lejen e organeve kompetente.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria e Policisë Lezhë apelon për të gjithë qytetarët që të mos tentojnë të kryejnë krime mjedisore, si ndërtime pa leje, prerje të paligjshme të pyjeve, ndotje të ajrit, ndotje të ujërave apo çdolloj krimi tjetër, pasi do të përballen me forcën e ligjit.
DVP Lezhë fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.
/Burimi: TCH/