Marrëveshje bashkëpunimi në bujqësi/ Ministrja Krifca zbulon se si do të lehtësohet zhvillimi tregtar

Në përfundim të mbledhjes në Elbasan, janë nënshkruar marrëveshjet e bashkëpunimit mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës. Marrëveshjet janë nënshkruar nga ministrat e dy qeverive. Kjo është mbledhja e shtatë e përbashkët mes dy qeverive, ndërsa takimi i parë u zhvillua në vitin 2014 në Prizren.

Gjatë mbledhjes ministrja Frida Krifca bëri me dije bashkëpunimin e vijuar me ministrin e Bujqësisë z. Peci edhe në lidhje me unifikimin e modeleve të certifikatave shëndetësore dhe veterinare. Krifca shtoi se nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me Kosovën do të shërbejë për tregtinë mes dy vendeve.

“Me Ministrin Peci, gjatë muajit të fundit, kemi zhvilluar dy takime në Tiranë, për të përshpejtuar bashkëpunimin midis institucioneve tona. Puna po ndërtohet mbi bazat e angazhimeve të marra më parë. Shembull i rëndësishëm është protokolli për njohjen reciproke dhe unifikimin e modeleve të certifikatave shëndetësore dhe veterinare që shoqërojnë kafshët e gjalla dhe produktet me origjinë shtazore. Ky protokoll është shoqëruar me disa problematika, por konsiderohet tashmë i zbatuar nga palët. Kemi sot 43 certifikata të unifikuara dhe të njohura nga të dy autoritetet.

Po punojmë për të eliminuar totalisht barrierat tarifore dhe jo tarifore, pasi kjo na ndihmon të reduktojmë kostot administrative të operatorëve, kosto këto që ndikojnë mbi produktin final. Po ashtu, ne kemi marrë përsipër të angazhohemi për shkëmbimin e përvojave për programet IPA për Zhvillimin Rural si edhe me projekte të përbashkëta në blegtori dhe turizëm rural”, përfundoi Krifca.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *