Shqipëria po përgatitet që të zhvilloi menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit një stërvitje të madhe ushtarake në kuadrin e aleancës së NATO-s. Kjo stërvitje e madhe ushtarake, përgatitjet e së cilës kanë disa kohë që kanë filluar, me emrin “Defender Europe ‘21”, parashikon që në fund të këtij muaji të sjellë në Shqipëri mbi 17 mijë trupa ushtarake nga SHBA-të dhe vende të tjera anëtare të NATO-s.
Stërvitja e cila do të zhvillohet në tokë, ajër dhe det, në fakt është vetëm njëra e programuar që në vitin e shkuar në kuadër të përgatitjeve që NATO bën çdo vit me vendet anëtare të saj.
Por një gjë e tillë duket se ka shqetësuar shumë Rusinë, e cila këtë stërvitje të madhe e ka lajmëruar dhe denoncuar këto ditë në mediat botërore, si një parapërgatitje të SHBA-ve dhe NATO-s për të ndërhyrë ushtarakisht në rajonet autonome të Ukrainës.
Rusia ka paralajmëruar se do të marrë “masa shtesë për të garantuar sigurinë e saj” nëse NATO dërgon forca ushtarake në Ukrainë, dhe në rajonet autonome të saj të banuara kryesisht nga popullsi ruse.
Pikërisht për këtë qëllim nga dje, Moska ka urdhëruar një mobilizim mjaft të lartë ushtarak, i cili synon të barazohet me forcën e dislokuar nga NATO për stërvitjen në Shqipëri.
Vetëm dje Moska zhvendosi 4000 trupa në kufi mes frikës në rritje të luftës në rajonin e diskutueshëm të Donbass-it në Ukrainë, raportoi “Daily Mail”. Por ajo ç’ka është parë këto ditë dhe është filmuar nga video amatore, janë një mori e madhe mjetesh dhe forcash të motorizuara dhe armatime të rënda që me anë të trenave, apo edhe nga ajri kanë lëvizur drejt kufijve të Ukrainës dhe shteteve të tjera të Europës Lindore.
Trena të gjatë ngarkuar me tanke dhe mjete luftimi, si dhe autokolona rrugore kilometrike me automjete dhe mjete të blinduara, janë parë dhe filmuar në shumë anë.
Po ashtu edhe skuadrilje me helikopterë ushtarakë dhe avionë transportues janë parë në vende të tjera të Rusisë në kufi me shtetet Europiane, duke lëvizur drejt këtyre të fundit.
Por në lidhje me këtë super-dislokim forcash për të cilin Moska deklaron vetëm 4000 ushtarë, në fakt është e dukshme se sasia e trupave të mobilizuara është shumë herë më tepër.
“Pa dyshim që një skenar i tillë do të çonte në një rritje të mëtejshme të tensioneve afër kufijve të Rusisë. Sigurisht, kjo do të kërkonte masa shtesë nga pala ruse, për të garantuar sigurinë e saj”,- u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke e justifikuar mobilizimin e ushtrisë ruse me një veprim “rutinë” të sigurisë.
Ai këmbënguli, megjithatë, se, Rusia nuk ishte “duke kërcënuar” Ukrainën, ndryshe nga sa tha në një deklaratë tjetër më herët që paralajmëronte se një luftë në Donbass do të “shkatërronte” fqinjin e saj.
Por në pamje të tjera video, tregohen dhjetëra helikopterë ushtarakë afër kufirit që lëvizin dhe bashkë me ta edhe tanke e automjete të tjera ushtarake hipur mbi trena.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, tha se, përpjekjet për fillimin e një lufte të re në rajonin e Donbasit të Ukrainës, do të shkatërronin paqen në rajon dhe mbarë vendin.
Në një intervistë për kanalin “Pervıy”, Lavrov duke përmendur krizën e Donbasit në Ukrainë, tha se, “Shumica e ushtarëve janë të vetëdijshëm se sa i dëmshëm është çdo veprim që kryhet në drejtim për fillimin një konflikti të nxehtë. Shpresoj që politikanët që do të provokojë Perëndimi dhe kryesisht SHBA-ja, nuk do të provokojnë ushtarët”.
/Burimi: Daily Mail/ Përshtati: Priza.al/