Tragjedia në Kosovë/ Vjosa Osmani: Autorët e krimit të vendosen para drejtësisë! Haradinaj: Veprim i ulët kriminal!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar për sulmin me armë që ndodhi mbrëmjen e së premtes në Gllogjan të Deçanit, ku të vdekur mbetën dy nxënës dhe shoferi i autobusit, ndërkaq një tjetër është plagosur.

Osmani përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar që sa më shpejt autorët të sillen para drejtësisë.

“Tronditës lajmi për aktin kriminal në Gllogjan, në të cilin sipas të dhënave aktuale kanë humbur jetën 3 persona dhe ka mbetur një i plagosur. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të të vrarëve dhe uroj shërim të shpejtë për të lënduarit”, shkruan Osmani.

Më tej, ajo ftoi organet e rendit të zbulojnë sa më parë autorët e t’i sjellin ata para drejtësisë.

“Ftoj organet e rendit që sa më parë t`i zbulojnë autorët e krimit dhe t`i sjellin para drejtësisë. Sulmi ndaj autobusit me nxënës është goditje ndaj rendit e sigurisë sonë. Siguria e qytetarëve është prioritet, ndaj nuk do të zmbrapsemi në përmbushjen e këtij misioni”, shkruan Osmani.

Gjithashtu, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se është trishtuar nga sulmi kriminal që ndodhi në Gllogjan, ku humbën jetën tre persona, prej të cilëve dy nxënës.

“Bashkëndjejmë me familjarët e të vrarëve, duke u lutur për durim dhe forcë, në këto momente të rënda për të gjithë ne”, ka shkruar Haradianj, në Facebook.

Ai më këtë rast ja falënderuar kryetarin e Deçanit Bashkim Ramosaj, Policinë, Prokurorinë dhe ekipet mjekësore emergjente për punën e tyre.

“Apeloj që organet e rendit sa më parë, të zbulojnë e të kapin autorin e këtij veprimi të ulët kriminal dhe i njëjti të sillet para drejtësisë”, ka shkruar Haradinaj.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *