Ditën e hënë, pra më 29 nëntor është premtuar nga kryeministri Rama se do të hapet “Rruga e Arbrit”, për të gjitha ata që kërkojnë ta përdorin.
Por punimet në këtë aks të rëndësishëm që do të lidhë Tiranën me Peshkopinë vazhdojnë dhe parashikohet që përfundimisht të mbyllen në pranverë të vitit tjetër.
Rruga kalon në gjashtë tunele, pesë prej të cilëve tashmë janë ndërtuar nga kompania që po punon për ndërtimin e kësaj rruge, “Gjoka Konstruksion”.
Por përveç tuneleve, Rruga e Arbrit ka edhe dy ura, atë të Vashës dhe të fshatit Fshat, e cila është më e larta në Ballkan.
Ura e fshatit Fshat në rrugën e re të Arbrit, e lidh atë me fshatin Shkallë të Njësisë Administrative Xibër dhe është 250 metra e gjatë dhe 158 metra e lartë, më e larta në Ballkan, ndërkohë që ura e Vashës është 152 metra e lartë.
Balluku inspekton punimet
Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ishte në terren për të parë nga afër aksin pak orë përpara se të hapet për qarkullim.
Ministrja u bëri thirrje të gjithë drejtuesve të makinave që të bëjë kujdes gjatë qarkullimit, pasi rruga ende nuk ka përfunduar plotësisht.
“Po e hapim para afatit, për të lehtësuar qarkullimin gjatë dimrit dhe padyshim, jemi në kushtet e kantierit, kështu që duhet shumë kujdes nga drejtues të automjeteve përsa i përket kalimit këtu.
Jam me drejtor Qaton këtu, sepse ju do të merrni në dorëzim këtë aks për sigurinë rrugore dhe do ta monitoroni deri kur të jetë i përfunduar. Moti nuk na ndihmon shumë, por HEC-et e Drinit po mbushen.
Kjo është një rrugë në verilindje të vendit, ku shpesh ka edhe reshje dëbore, prandaj duhet të kemi shumë kujdes në përdorimin e rrugës.
Kur të ketë reshje dëbore do të mbyllim ‘By Pass’-in, maksimumi 5 ditë në vit dhe do të përdoret rruga e vjetër, por në ditët e tjera do të jetë totalisht e hapur”,- tha ministrja.
Por ministrja harron se në këtë vepër super të kushtueshme ku janë hedhur miliarda, punimet nuk mund të bëhen me sikur dhe as qytetarët apo drejtuesit e automjeteve nuk mund të përdoren si “kavie” për të testuar cilësinë e rrugës, në një kohë që ajo është ende një kantier ndërtimi dhe e papërfunduar.
Rruga e Arbrit pëson sërish shembje
Qindra makina bllokohen në by-passin e Rrugës së Arbrit. Rreth 200 makina kanë mbetur të bllokuara sot në drekë në qafën e Murrizit, në by-passin e Rrugës së Arbrit, që lidh Zall Bastarin në Tiranë me Xibrin në Klos.
Qytetarët e kanë shpërfillur njoftimin e kompanisë “Gjoka Konstruksion”, e cila më 23 nëntor njoftonte se “Rruga e Arbrit vijon të jetë e mbyllur deri më 29 nëntor”.
“Të gjithë qytetarët që udhëtojnë nga Tirana në drejtim të Peshkopisë dhe anasjelltas, të vijojnë të frekuentojnë akset e tjera rrugore lidhëse me Tiranën deri më datë 29.11.2021, pasi RRUGA E ARBRIT VIJON TË JETË E MBYLLUR. Kërkojmë mirëkuptimin e përdoruesve të mjeteve dhe të banorëve deri në njoftimin e radhës për qarkullim në Rrugën e Arbrit”,- thuhej ne njoftimin e kompanisë “Gjoka Konstruksion”, të shpërndarë për median më 23 nëntor, si dhe të botuar edhe në faqen e saj zyrtare në Facebook.
Një lexues njoftoi sot (27 nëntor, 15:00) se në by-passin e rrugës, në Qafë Murrizë, qindra makina janë duke pritur me shpresën e hapjes së rrugës, ndërkohë që policia e ka bllokuar atë.
Disa drejtues mjetesh kanë dalë në korsinë tjetër, çka e ka bërë të pamundur edhe kthimin mbrapsht.
Policia është e pranishme në vendngjarje, por për momentin akoma nuk ka një zgjidhje. Koha e keqe me shi ka vënë në vështirësi disa udhëtarë, të cilët kanë edhe fëmijë me vete.
Qarkullimi në “Rrugën e Arbrit” është premtuar se do të nisë më 29 nëntor 2021 dhe do të shkurtojë rrugën për Klos me 70 km. Nga km 0 në dalje të Tiranës deri te ura në Klos, distanca tashmë është vetëm 35 km.
Rruga e Arbrit ka 6 tunele, 5 nga të cilët janë përfunduar dhe njëri është ende në proces.
Rruga e Arbrit jo vetëm do të afrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por pretendohet që të jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe të turizmit.
/Priza.al/