Sot paradite rruga e Arbrit u hap pjesërisht për kalimin e automjeteve pasi kompania që po e ndërton këtë vepër “Gjoka Konstruksion” hoqi barrjerat nga fillimi i saj.
Për përurimin e saj ishte në zonën e Dibrës vetë kryeministri Rama bashkë me ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, madje u mbajt edhe një ceremoni festive që të kujtonte ato të paraardhësit të Ramës, ish-kryeministrit Berisha, kur përuronte hapjen e rrugëve të reja.
Por në një kohë që rruga është ende një kantier dhe do të vazhdojë e tillë edhe për shumë kohë, një situatë e vështirë është krijuar këtë mbrëmje në Rrugën e Arbrit.
Mediat lokale njoftojnë se sipas informacionit të marrë nga drejtuesit e mjeteve, mbi 100 makina janë të bllokuara tek tuneli i Qafë-Murrizit, aty ku dhe nis bupass-i, si pasojë e bllokimit nga reshjet e borës, temperaturat e ulëta dhe ngricat në rrugë.
Drejtuesit e automjeteve që e morën këtë rrugë me qejfin se do të mbërrinin shpejt në Dibër, me sa duket nuk i kanë marrë parasysh kushtet meteorologjike dhe faktin se ajo zonë është malore dhe me terren të vështirë.
Për pasojë, duket se reshjet e para të dëborës dhe ngricat i kanë zënë të papërgatitur dhjetëra shoferë që kanë qenë pa zinxhirë dhe goma dimërore.
Asnjë ndihmë nuk ka ardhur nga autoritet për këta qytetarë me gjithë apelin e bërë, dhe nuk shihet asnjë borëpastruese apo punonjës policie për të bërë të mundur lëvizjen e automjeteve.
/Priza.al/