Një prej problemeve më akute të shërbimit të urbanëve në kryeqytet, abonetë, duket se është zgjidhur përfundimisht. Bashkia e Tiranës ka bërë të mundur daljen në shitje të aboneve të reja për të gjitha linjat e urbanëve që operojnë në Tiranë, si dhe të abonesë së përgjithshme.
Një e tillë kushton 1600 lekë në një kohë që një abone për studentët kushton vetëm 600 lekë dhe këto tashmë do të sigurohen lehtësisht në të gjitha pikat e tregtimit të aboneve ku dhe janë shitur më parë.
Ndërkohë, futja në treg e aboneve të reja, ka eliminuar edhe radhët e gjata si dhe abuzimet me spekulimet në çmime.
“Priza Tv” ka bërë një vëzhgim sot në disa prej linjave më kryesore të urbanëve në Tiranë, ku nga qytetarët nuk kanë munguar falënderimet për këtë lehtësim.
Në mikrofonin e gazetares Griselda Katirai, ata kanë shprehur mendimet e tyre në lidhje me linjat e reja dhe me rifutjen e abonesë në përdorim.
Sistemi i tregtimit të aboneve është disiplinuar falë ndërhyrjes së bashkisë dhe tashmë po funksionon shumë mirë. Qytetarët qartësisht shprehen për të lehtësuar dhe të kënaqur për eliminimin e kësaj peripecie që ndikonte direkt te xhepat e tyre.
Lehtësi dhe përmirësimi i standardeve të transportit urban në Kryeqytet, është bërë i mundur edhe falë licencimit të disa kompanive të reja, që kanë futur në shërbim autobusë elektrik dhe hibrid, duke eliminuar si zhurmat ashtu edhe ndotjen.
Kjo ka bërë që shërbimi urban të jetë jo vetëm më i shpejtë dhe komod, por edhe më pak ndotës për ambientin e kryeqytetit.
Pse na kushton shumë më lirë udhëtimi me abone
Aboneja e autobusëve, e cila ishte hequr për disa kohë nga qarkullimi, për faktin se disa kompani që mbanin monopolin e linjave kryesore urbane në kryeqytet, nuk donin që ta njihnin, ka qenë gjithmonë një lehtësi për qytetarët që i përdorin shpesh linjat e transportit urban.
Një abone e përgjithshme që kushtin vetëm 1600 lekë, është një lehtësim për ata qytetarë që disa herë në ditë duhet të marrin urbanët, ose që ndryshojnë dy ose më shumë linja urbanësh.
Sipas një llogarie të thjeshtë që “Priza.al” ka bërë, nëse një qytetari të zakonshëm i duhet të përdorë disa herë në ditë autobusin urban, pra të bëjë 2-3 rrugë në ditë ose me shumë me të njëjtën linjë ose më të ndryshme, nga 40 lekë që është një biletë aklualisht autobusi, atij i kushtin shumë më lirë nëse blen një abone linje apo një abone të përgjithshme.
Pra 4 përdorime në ditë x 40 lekë (4 x 40 = 160), por nëse 160 e shumëzojmë për 30 ditë (160 x 30 = 4800 lekë në muaj). Ndërkohë abonoja e përgjithshme kushton vetëm 1600 lekë për të gjithë muajin.
Kursimi dhe leverdia është dukshëm më e madhe për çdo lloj kategorie qytetarësh, ndaj disiplinimi i aboneve, është pa dyshim një lehtësim mjaft i madh si financiar ashtu dhe komoditeti në lëvizje për qytetarët e Tiranës.
/Priza.al/