Nga Brikena Bisku
Ish ylli i Barcelonës, Lionel Messi ka shkruar historinë duke u shpallur për herë të 7 fituesi i çmimit prestigjioz ‘Topi i Artë’. Ceremonia e dhënies së çmimit për vitin 2021 u zhvillua në kryeqytetin e Francës, Paris.
Por si ka arritur ‘pleshti’ argjentinas të shpallet më i miri i të gjithë kohërave?
Historia daton që nga viti 2009 ku Messi do të fitonte Topin e parë të Artë. Ai ishte vetëm 22-vjeçar kur u kurorëzua si Futbollisti Botëror i Vitit. Në 2009 Messi fitoi me diferencën më të madhe të regjistruar ndonjëherë në historinë e këtij kompeticioni të nderuar. Nga 480 pikë të mundshme, Lionel mori 473 – një rekord i ri, dhe shumë më përpara se njeriu në vendin e dytë portugezi Cristiano Ronaldo me 233 pikë.
Barcelona fitoi tripletën historike të Ligës, Ligës së Kampionëve dhe Kupës së Mbretit dhe sigurisht që do të ishte e paimagjinueshme që një lojtar pa fanellën e Blaugranës të merrte çmimin.
Në vitin 2010 Lionel Messi u shpall për herë të dytë fituesi i Topit të Artë të FIFA-s në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Zyrih. Sulmuesi argjentinas u përzgjodh përpara bashkëlojtarëve të tij asokohe të Barcelonës, Xavi dhe Andrés Iniesta, të cilët fituan Kupën e Botës me Spanjën.
23-vjeçari shënoi 60 gola për klubin dhe kombëtaren në vitin 2010 dhe u konsiderua si lojtari më i talentuar i brezit të tij.
Edhe viti 2011 do të kishte regjistruar surpriza të mëdha për sulmuesin argjentinas. Lionel Messi u shpall fitues për herë të tretë i Topit të Artë. Reprezentuesi argjentinas mundi Cristiano Ronaldon e Real Madridit asokohe dhe bashkëlojtarin e tij Xavi Hernandez.
Argjentinasi u shpall lojtari i parë në histori që fitoi çmimin prestigjioz katër vjet radhazi. Lionel Messi mori Topin e Artë të FIFA-s 2012 atëherë përpara yllit të Real Madridit, Cristiano Ronaldo dhe shokut të skuadrës së Barcelonës, Andres Iniesta.
‘Pleshti’ shkruajti historinë duke lënë pas Michel Platini, Johan Cruyff dhe Marco van Basten. Ata fituan gjithashtu tre herë çmimin radhazi. 25-vjeçari theu rekorde të shumta, duke përfshirë edhe më shumë gola të shënuar në një vit kalendarik.
Pas 3 viteve ‘mungesë’ ylli i Barcelonës dhe Argjentinës, Lionel Messi, u nderua me Topin e Artë 2015. Në moshën 28 vjeçare ai regjistroi për të pestën herë rekord në karrierën e tij.
Në 2015 Barça fitoi pesë trofe La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampionëve, Superkupën e UEFA-s dhe Kupën e Botës për Klube FIFA. Ai shënoi 52 gola dhe 26 asistime në 61 ndeshje për klubin dhe kombëtaren.
2019 do të ishte viti i artë i Lionel Messit pasi fitoi Topin e Artë për të gjashtën herë, më shumë se çdo lojtar në histori.
Ylli i Barcelonës asokohe kaloi përpara rivalit të madh Cristiano Ronaldo për të marrë pronësinë e plotë të rekordit, duke larguar Virgil van Dijk dhe CR7-ën. Argjentinasi shënoi 54 gola për klubin dhe kombëtaren në sezonin 2018-19.
Por në 2021 ai do të shpallej vetë historia. Messi ka arritur atë që askush tjetër më parë s’ka mundur ta bëjë. Lionel triumfoi për të shtatën herë duke marrë Topin e Artë.
E kujt do t’ia merrte mendja se një djalosh i lindur në Rosario 24 qershor 1987 do të pushtonte Botën dhe do të fitonte shtatë Topa të Artë në karrierën e tij, përveç se të gjithë trofetë e mundshëm me përjashtim të Kupës së Botës me Argjentinën.
/ Priza.al/