Kudret Kume, i njohur ndryshe si Ilia Kareli, është shqiptari që në datën 27 mars 2014 humbi jetën në burgun grek, si pasojë e dhunës së ushtruar nga gardianët e burgut. Shtatë vite më vonë detaje rrëqethëse dalin në dritë për mënyrën sesi dha shpirt i burgosuri shqiptar, Ilia Kareli. Mediet greke shkruajnë se ai u torturua nga zyrtarët e burgut ‘Nigrita’.
Gjykata e Apelit të Selanikut ka lehtësuar 12 gardianët e burgurt të Nigritës të dënuar më herët me nga 5 deri 7 vite burg për vrasje përmes torturës së të burgosurit shqiptar Ilia Kareli. Vendimi është marrë mesditën e sotme sipas mediave greke dhe të gjithë ata do të bëjnë nga 3 vite burg.
Gjykata vendosi kështu duke marrë parasysh raportet e administratës së burgut për sjellje të mirë të gardianëve të dënuar, gjë që bëri që ajo të prishte vendimet nga nga 5 deri 7 vite burg për secilin prej tyre pasi u gjetën fajtorë për torturimin deri në vdekje të të burgosurit shqiptar Ilia Kareli.
Një i dënuar i 13, pikërisht roja i jashtëm i burgut, i dënuar më herët me tre vite burg, tani thjesht do të jetë i pezulluar nga puna me akuzën e “cënimit të dinjitetit të administratës së burgjeve”.
Ilia Kareli vdiq në burgun e Nigritës në Greqi në mars të vitit 2014 pasi ishte transferuar atje nbga Malandrino.
Kamerat e sigurisë fiksuan gjithçka bënë gardianët e burgut, të cilët përmes torturave i shkaktuan vdekjen shqiptarit të dënuar. Pamjet shkaktuan reagime të forta në Shqipëri, megjithatë, kjo nuk ka mjaftuar për Apelin e Selanikut që t’i marrë me të mirë gardianët torturues deri në vdekje duke i bërë ata që të gëzojnë lirinë shumë shpejt.
Ky është rasti i radhës ku drejtësia greke operon me standarde të dyfishta ndaj shqiptarëve, pasi ka qindra të dënuar shqiptarë që po bëjnë nga 15-20 vite burg në Greqi vetëm se janë kapur me disa gram lëndë narkotike në makina apo trup, ndërkohë që 12 persona, të vërtetuar se ishin fajtorë për tortura deri në vdekje të një të burgosuri, të fiksuar edhe nga kamerat e sigurisë, mëshirohen me vetëm 3 vite burg.
Koha e vdekjes
Ilia Kareli, 42-vjeç nuk arriti të jetojë më shumë se 7.5 orë në burgun “Nigrita”. Ai u transferua në këtë burg në orën 15.40 dhe u gjet i pajetë në orën 23.15. Por nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndërruar jetë edhe më parë, pasi e çuan në qelinë e tij të rrahur në orën 18.38.
Autopsia që iu bë trupit të tij zbuloi se Kareli kishte marrë goditje të vazhdueshme në të gjithë trupin. Ndër torturat ishte hedhja e ujit shumë të ftohtë nga rojet e burgut në dhomën që njihet si “frigorifer” i burgjeve. Tortura vazhdoi dhe më pas u la në qeli i plagosur rëndë.
Ata ishin përqendruar në metodën e torturës “falangë” dhe në pjesën juridike të parlamentit u theksua se ishte një përdorim i metodave sistematike të torturës.
“Ata përdorën një gërshet të improvizuar me një çarçaf, i cili ishte konfiskuar në të kaluarën nga kontrollet në qelitë e të ndaluarve. Me këtë, ata shkaktuan goditje të shumta, në mënyrë metodike dhe të organizuar, në një zonë që nuk u filmua, padyshim sepse nuk do të ishte e mundur të hetohej më vonë se kush kryente veprime specifike”, thuhet në dosje.
Hakmarrja
Në dosjen prej 60 faqesh tortura nga ana e gardianëve i atribuohet hakmarrjes për shkak të humbjes së jetës të një kolegu të tyre ën burgun e Malandrinos. Në këtë burg kishte qëndruare më parë Kareli, para se të transferohej në burgun “Nigrita”. Raportohet e mediave greke thonë se ishte pikërisht Kareli që e kishte vrarë George Tsironi.
/Burimi: Protothema/ Përshtati: Priza.al/