Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, u takua sot në Bruksel me Presidentin e Parlamentit Evropian, z. David Maria Sassoli. Vizita e znj. Nikolla u realizua në kuadrin e përpjekjeve për të lobuar për mbajtjen e Tryezës së parë Ndërqeveritare me BE-në brenda vitit 2021.
Kryetarja Nikolla e falënderoi Presidentin Sassoli për mbështetjen e tij të fuqishme, personale dhe institucionale, për avancimin e Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së.
“Nisma juaj për të vendosur një dialog ndërmjet Parlamentit Evropian dhe kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor është një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e lëvizjes së vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian. Pavarësisht sfidave dhe ndikimit të pandemisë COVID-19, Shqipëria ka avancuar në reformat e rrugëtimit drejt BE-së dhe ka përmbushur të gjitha prioritetet e vendosura nga Këshilli Evropian. Ne kemi besim se Parlamenti Evropian do të ndikojë për mbajtjen e Tryezës së Parë Ndërqeveritare me BE-në brenda vitit 2021. Shqipëria ka pranuar qasjen e bazuar në merita për bisedimet e anëtarësimit dhe tani është radha e BE-së për të mbajtur premtimet dhe për të na sjellë më pranë Bashkimit Evropian. Ne mendojmë se është e padrejtë që mbajtja e Tryezës për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut të pengohet nga faktorë që nuk kanë lidhje me plotësimin nga vendet tona të standardeve integruese.”, vuri në dukje Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.
Kryetarja Nikolla informoi Presidentin Sassoli për ecurinë e zhvillimeve dhe të reformave në vend dhe përpjekjet për të ndërtuar një klimë pozitive dhe dialog konstruktiv me opozitën.
“Zbatimi i reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi ka dhënë rezultate të mira dhe po avancon pozitivisht. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë tashmë funksionale, ndërsa vetting-u po ecën në mënyrë të qëndrueshme dhe po jep rezultate të prekshme.
Shqipëria ka bërë përparim në forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë edhe rritjen e bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së dhe Europolin. Struktura e Specializuar Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), janë funksionale.
Shqipëria vazhdon të ruajë një normë 100 përqind të përafrimit me politikën e jashtme të BE-së dhe ka vazhduar të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog me vendet fqinje, për të adresuar çështjet dypalëshe dhe për të garantuar marrëdhënie të mira fqinjësore.
Kuvendi i Shqipërisë po lehtëson gjithashtu avancimin në rrugën e integrimit në BE, duke bashkëpunuar ngushtësisht me Delegacionin e Parlamentit Evropian në kuadër të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri si edhe përmes diplomacisë parlamentare e bashkëpunimit për iniciativa rajonale ose evropiane”, tha Nikolla.
Presidenti i Parlamentit Evropian, z. David Maria Sassoli, e falënderoi Kryetaren e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, për informimin mbi arritjet e Shqipërisë për përmbushjen e reformave integruese si edhe për kontributin e Kuvendit në mbështetje të legjitimitetit të këtij procesi dhe nënvizoi se marrëdhëniet e Parlamentit Europian me Shqipërinë dhe Kuvendin janë të shkëlqyera dhe Parlamenti Evropian ka pasur një impenjim konstant për çeljen e negociatave me Shqipërinë.
“Parlamenti Europian do të vazhdojë të insistojë që Tryeza e Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE të mbahet sa më shpejt.
Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kërkesat që i rekomandoi Këshilli Evropian në vitin 2020. Për ne është e rëndësishme që Shqipëria ka stabilitet politik. Parlamenti Evropian do të jetë zëri i Shqipërisë brenda Bashkimit Evropian. Sepse Bashkimi Europian pa Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor ka një boshllëk të madh dhe të dukshëm. Ne nuk duhet që me vonesat tona në procesin e zgjerimit të zhgënjejmë popujt e Ballkanit Perëndimor dhe të lejojmë hapësira për influenca joperëndimore në rajon. Parlamenti Evropian do të vazhdojë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe do t`ju ndihmojmë edhe gjatë procesit të negociatave”, është shprehur Sassoli.
/Priza.al/