Një burrë 30-vjeçar nga Teksasi është dënuar me 9 vjet e 2 muaj burgim për marrjen nëpërmjet mashtrimit të më shumë se 1.6 milionë dollarëve fonde përmes Programit të Mbrojtjes së Pagave të Pandemisë së Koronavirusit të qeverisë [PPP], tha të hënën Departamenti i Drejtësisë.
Qeveria tha se Lee Price III ka pranuar fajin për mashtrim dhe pastrim parash.
Price përmes programit të qeverisë amerikane për të ndihmuar ekonominë si pasojë e pandemisë së coronavirusit, ka përvetësuar mbi 1,6 milion dollarë, shkruan CBS.
E pas shpërthimit të pandemisë, qeveria amerikane nënshkroi Ligjin për ndihmë, përkrahje dhe siguri ekonomike (CARES), me qëllim që sipërmarrësit e vegjël të tejkalojnë krizën ekonomike të shkaktuar nga coronavirusi.
Në kuadër të këtij Ligji, është futur edhe programi për mbrojtjen e pagës në maj të këtij viti, ku sipërmarrësve u janë ofruar kredi që ta kenë më të lehtë përballimin e kostos ekonomike.
Price raportoi dy kredi të ndryshme me vlerë prej më shumë se 2.6 milionë dollarë – duke mashtruar autoritetet kompetente. Kështu arriti të mbledhë më shumë se 1.6 milion dollarë – duke gënjyer sesa njerëz punojnë në tri kompanitë e tij dhe sa ishin pagat e tyre.
Siç raporton CBS, Price kishte pretenduar se në njërën prej kompanive të tij – Price Enterprice kishin punuar 50 persona dhe se për pagat mujore kishte ndarë 375 mijë dollarë. E gjatë hetimeve është konstatuar se në këtë kompani nuk ka pasur të punësuar e as paga.
Pasi që mori paratë, Price i shpenzoi në vetura – Lamborghini Urus dhe Ford F-350, sikurse edhe në orët e shtrenjta Rolex. Në një klub striptizi kishte shpenzuar 2 mijë dollarë, e mbi 700 tjera në pije alkoolike, 250 në klube të natës e një pjesë të parave i kishte përdorur për të shlyer kredinë për shtëpinë.
Ministria ka njoftuar se kanë arritur t’i rikthejnë 700 mijë dollarë, që Price duke mashtruar i kishte tërhequr nga programi për rimëkëmbje ekonomike.
Në aktakuzën kundër Price thuhet se në vitin 2010 ishte dënuar për mashtrim, e më 2011 për plaçkitje. Autoritetet amerikane deri më tani kanë dënuar mbi 160 persona për manipulim të fondeve për rimëkëmbje ekonomike – duke sekuestruar mbi 75 milionë dollarë.
/Burimi: cbsnews/ Përshtati: Priza.al/