Ish-kreu i PD-së, Eduard Selami në një interviste për Zërin e Amerikës deklaroi se debati në këtë parti është i vonuar. Ish-deputeti demokrat e cilësoi ish-kryeministrin Sali Berisha një fatkeqësi të PD-së.
Sipas Selamit, Basha duhet ta kishte filluar këtë debat më përpara.
“Mendimi im është që ky është një debat tejet i vonuar për PD-në. Fatkeqësia e PD-së ka qenë Berisha që edhe pas shpalljes “Non grata” vazhdon përpjekjet për të mbajtur peng PD-në. Unë nuk mund ta mendoj, Berisha duhet të kishte kapërcyer këtë me kohë. Një skenar që ky të vijë si reformator i PD-së është e pamundur. Ky kapitull është i mbyllur, Berisha është e kaluara. Duhet të shikojmë nga e ardhmja.”
Ndërsa parashikoi të ardhmen e Lulzim Bashës, Selami tha se ai do i mbijetojë lëvizjes së Berishës, por shton se nuk është çudi që nesër kryedemokrati dhe ish-kryeministri të bashkohen sërish.
“Do i mbijetojë lëvizjes së Sali Berishës. Nuk është çudi që sot ndahen dhe nesër bashkohen prapë ata. PD duhet të vendosë, do të bëhet edhe njëherë shpresë për shqiptarët, apo të bëhet peng i Berishës. PD duhet të rithemelohet. PD sot është bërë mburojë e korrupsionit, është e deklaruar nga DASH”, shtoi ai.
/Burimi: VOA/