Kryeministri Edi Rama në takimin që ka pasur me bizneset në Fier, sërish nuk ka nguruar që të sulmojë sërish kryedemokratin Lulzim Basha.
Ai ka vijuar ironinë e tij duke thënë se Basha nuk di të bëjë gjë tjetër veçse të fle, e nisur nga kjo për kryeministrin është mëkat që ai të bëhet kryeministër. Edhe për taksën e sheshtë 9%, pjesë e programit të PD-së, Rama tha se një gjë e tillë është e gabuar, e për këtë ka dhënë argumentet e tij, por pa harruar notat ironike.
“Është katastrofë mendore që cilido që merret me biznes të vogël të shkojë të votojë ata që do sjellin taksën e sheshtë, 9 për qind menjëherë, bam-bam. Të paguash që flejë Luli në Kryeministri, por mund të flejë në shtëpi, në makinë, te partia, në lulishte. Dhe çdo muaj të nxjerrësh nga xhepi 9 për qind të fitimit tënd. Kjo është e pakonceptueshme sado inat ta kesh Gramoz Ruçin, sado inat ta kesh Edi Ramën. Kur vjen puna xhepi yt fut dhe nxjerr fitimet e tua. Ato nuk lidhen sa inat ke njërin dhe sa qejf ke tjetrin. Me Ramën e Ruçin e ke të thjeshtë, ndërro kanal, shko te ajo “Përputhen” edhe rri atje. Logjika e biznesit është ku e kam interesin. Unë dua të çoj drutë në mal, kam interes te ngjyra e gomarit, apo kam interesin te gomarin që do më çoj drutë në mal”, tha Rama.