Pastrimi i parave, Basha përplaset me ministren e financave/ Ibrahimaj: Qeveria ka rritur vendet e punës dhe zhvillimin ekonomik

Në fjalën e tij në seancë plenare, kreu i opozitës Lulzim Basha bëri deklaratën e fortë kur tha se për tre vjet janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 mln euro. Deklaratat kryedemokrati i bëri ndërsa fliste për pr/ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, i sjellë sot për miratim në seancë plenare.

Basha tha se kjo qeveri nuk mund të luftojë dot pastrimin e parave, pasi është e kapur në përgjimet e antimafias me Ndragheta e Cosa Nostra

“Kjo pseudo-mazhorancë, anëtarë të së cilës prej disa vitesh shfaqen rregullisht në përgjimet e antimafias italiane e jo vetëm, ka sjellë në këtë seancë një projektligj me disa ndryshime mbi ligjin e parandalimit të pastrimit të parave.

Te të gjithë ata që e njohin mirë realitetin e përditshëm të Shqipërisë, qofshin shqiptarë apo të huaj, ata e që kanë parë e shohin përditë se si gjatë sundimit të kësaj pseudo-mazhorance, institucionet u gangsterizuan, llumi i shoqërisë u fut lirshëm në parlament e bashki, krimi i organizuar ka sekserët e tij në nivelet më të larta të qeverisë, në mendjet e të gjithëve.  Pra lind rrufeshëm pyetja: a mund të jenë po këta që propozojnë masa për parandalimin e pastrimit të parave?

A mund të jenë këta që lejuan me urdhër politik kanabizimin e Shqipërisë, dhe shndërrimin e vendit në Kolumbinë e Europës dhe prodhuesin e parë të kanabisit në kontinent, sipas OKB-së, të njëjtëtë që mund të ndalojnë pastrimin e parave?

A mund të jenë këta që lejuan që shifrat marramendëse të eurove që prodhoi trafikimi masiv i drogës, të pastroheshin pa kokëçarje në kryeqytet dhe në zonat më eksluzive të Shqipërisë, që janë edhe më të mbikqyrurat, frenuesit e këtij fenomeni?

A mund të jenë ata që kapitenin më të suksesshëm të betejës me drogën, kanë ministrin e parë të brendshëm të akuzuar për trafik narkotikësh, garantues të luftës për pastrimin e parave të pista?

A mund të jenë këta që në janar të këtij viti dolën në përgjimet e antimafias së Katanzaros, me titujt e tyre si kryeministër, ministra apo kryetarë bashkie, ku drejtues të një nga organizatave mafioze më të rrezikshme në botë, Ndraghetës, bënin plane për leje ndërtimi korruptive, në Tiranë e bregdet, tendera dhe koncesione, dhe llokma të përcaktuara qartë e me përqindje të majme, garantët që paratë nuk do të pastrohen më në Shqipëri?

A mund të jenë këta që jo më pak se 2 javë më parë dolën përsëri në përgjimet e antimafias italiane, këtë herë me një tjetër organizatë mafioze, po aq të rrezikshme sa Ndragheta, Cosa Nostra, si garantët e një operacioni të pastrimit të parave, për të cilin merrej si i mirëqenë bashkëpunimi i zv. kryeministrit dhe drejtuesit të Drejtorisë të Pastrimit të Parave, autorët e iniciativave parandaluese?

A ka nevojë  t’iu përgjigjem që është ne majë të gjuhës së cdo shqiptari?

Përgjigjja është jo.

Mjaft të dalim nga kjo rrethinë e të shohim se si rrethone me skela centrifugat e qindra lavatriceve që pastrojnë paratë.

Në vendin ku baballarët përfundojnë në qeli se merimetojnë shtëpitë e tyre, ata që me bekimin e ktyre pastrojnë miliona euro vijojnë pa kokëcarje të hedh kat mbi kat përfitimet e parave të drogës. Asnjë sipërmarrës i ndershëm nuk i përballet dot interesave të tregut.

Këto nuk janë vetëm cilësime të Partisë Demokratike, por janë të evidentuara nga raportet ndërkombëtare të Këshillit të Europës dhe Departamentit Amerikan të Shtetit.

Shqipëria është renditur nga MONEYVAL, struktura e përhershme e Këshillit të Europës, në listen gri të vendeve me problem të mëdha në luftën kundër pastrimit të parave. Sipas Indeksit të Bazelit, këtë vit rreziku për pastrim parash është rritur në vendin tonë, duke humbur 28 vende në krahasim me vitin e shkuar, më të rrezikuarit në Rajon dhe Europë.

Po sipas Departamentit Amerikan të Shtetit “Shqipëria mbetet e pambrojtur ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare”.

Vitin e kaluar Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar, projekt i finaciuar nga GIZ-i gjerman dhe ministria e jashtme Norvegjeze, nxorri në pah skemën me të cilën financohen qiellgërvishteset që i kanë rrëmbyer diellin rrugëve të Tiranës, ku thuhet se “Rreth 60% e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në periudhën 2017- 2019 në kryeqytet, nuk justifikojnë burimet e tyre financiare, ndërsa vlerësohet se për këtë periudhë 3 vjeçare janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro”.

1.6 miliardë euro!”, tha Kryedemokrati.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj është përplasur me kreun e PD-së, Lulzim Basha, i cili tha se qeveria nuk lufton dot pastrimin e parave, duke theksuar se për 3 vite janë pastruar 1.6 miliard euro.

Në fjalën saj, ministrja u shpreh se nëse ndërtimi i kullave në Tiranë për PD është pastrim paraje, për qeverinë është zhvillim dhe kjo sipas saj tregohet nga shifrat zyrtare.

Ndërsa Basha foli për mjerim dhe varfëri, Ibrahimaj u shpreh se qeveria ka rritur vendet e punës dhe të ardhurat për qytetarët.

Dëgjova me vëmendje fjalën dhe ajo që më ngeli në mendje janë fjalët terr, tmerr mafie varfëri dhe mjerim. Si duket nuk jetojmë në të njëjtin qytet dhe Shqipëri, ku në datën 25 prill votuan për këtë qeverisje dhe për këtë mazhorancë. Sot jemi këtu për të diskutuar disa ndryshime në një projekt ligj që jo vetëm në afron me standardet e BE, por na bën krenar që jemi duke marrë nisma që do ta zhvillojnë nisma të cilat do ta zhvillojnë intensifikimin tonë në luftën kundër parandalimit të pastrimit të parave. Dëgjove për mjerimin dhe varfërinë. Në fakt kjo qeveri ka rritur vendet e punës, ka rritur të ardhurat për frymë, ka rritur zhvillimin ekonomik. Dëgjova për kullat që po ndërtohen në Tiranë që në perceptimin tuaj është pastrim parash, ndërsa në perceptim tim do të thotë zhvillim. Kjo duket jo vetëm me sy, por edhe shifra”, u shpreh ministrja.

Me heret Basha theksoi se të gjithë qytetarët shqiptarë që e njohin realitetin e këtyre viteve të fundit dhe e dinë fare mirë se kjo qeveri nuk mund të luftojë pastrimin e parave, pasi sipas tij është e lidhur me krimin e organizuar.

“Duke cituar raportet ndërkombëtare, kryedemokrati u shpreh se gjatë 3 viteve të fundit në Shqipëri janë pastruar 1.6 miliardë euro, duke e kthyer vendin në një lavatriçe gjigande të pastrimit të parave. Ky fenomen sipas tij godet rëndë ekoniominë dhe biznesin e ndershëm në vend”, tha nder te tjera Basha ne Parlament.
/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *