Sot është zhvilluar një tryezë dialogu duke shënuar nisjen e zgjedhjeve brenda Lidhjes Demokratike të Gruas për të cilën është ngritur dhe një grupë pune. Nënkryetarja e PD-së, Grida Duma, si pjesë e grupit të punës, shprehet se Lidhja Demokratike e Gruas nuk do të jetë një strukturë e varur politikisht nga PD-ja.
Grida Duma ka shkëputur një pjesë nga bisedimi gjatë këtij takimi, ku ajo thekson se anëtarët e grupit të punës nuk do u lejohet kandidimi, si një provë e parë besimi për këtë proces.
“Ky është një momentum në të cilin ne të ndërtojmë kohezionin real në parti. Aq sa mundemi. Tek Lidhja e Gruas apo përtej lidhjes së gruas. Lidhja Demokratike e Gruas që ne shpresojmë të bëhet më në fund pas këtij procesi, një strukturë jo varësie por e pavarur më e gjerë dhe kritike e konstruktive me PD-në dhe anëtarësinë dhe pjesëmarrësit e saj, është arsyeja pse ne e kemi nisur këtë proces dhe këtë mision. Jemi të përjashtuara nga kandidimi.
Është prova e parë që këtë po e bëjmë si një detyrë për Partinë Demokratike. Do ta them këtë dhe do e them sa më shumë publikisht. Jemi të prirura që të përfaqësojmë të gjitha qarqet e Shqipërisë dhe ta nisim këtë nga një proces dëgjese se sa një proces gjykimi. Nuk duam një strukturë bazë të varur. Nuk duam një strukturë e cila të ketë një individ që vendos për këdo dhe për gjithçka. Ky duhet të jetë një proces besimi për të ndërtuar një strukturë të pavarur dhe një strukturë partnere. Jo një strukturë të varur dhe të mbajtur si një element pushteti” – është shprehur gjatë takimit Duma.
Krahas postimit në rrjete sociale, Grida Duma shkruan se Lidhja Demokratike e Gruas duhet të jetë e hapur drejt shoqërisë dhe intelektualeve.
Pjesë nga tryeza e dialogut për proçesin e Lidhjes Demokratike të Gruas. Me mbështetjen e rëndësishme të Fondacionit “Konrad Adenauer” dhe “Qendrës për Qeverisjen e Mirë”. Grupi i punës i përbërë nga gra të profilit të lartë politik dhe profesional, shqyrtoi nisjen e proçesit të rivitalizimit Lidhjes Demokratike të Gruas.
Theksuam për transparencë dhe besim, që të gjitha zonjat e këtij grupi pune janë të përjashtuara nga kandidimi për LDG-në. Duke dhënë kështu provën e parë të dedikimit përtej çdo konjukture pushteti.
Lidhja Demokratike e Gruas, duhet të shndërrohet në një strukturë të hapur, të madhe. Një strukturë që nuk i shërben pushtetit të njërës apo përdorimit nga një-shi.
Duhet të hapet drejt shoqërisë dhe intelektualeve. Gratë profesioniste, të respektuara në komunitet, mjeket, avokatet, pedagoget, artistet, arkitetktet, psikologet; zonjat e te gjiitha profesioneve nuk mund ta gjejnë veten në struktura të mykura partiake.
Lidhja Demokratike e Gruas, nuk mund dhe as do të jetë më një strukturë e varur politike. Duhet dhe do të jete një strukturë më e gjerë se politike, madje kritike e konstruktive me vetë Partine Demokratike në ndërtimin e vlerave.
Për këtë arsye duke falenderuar Fonacionin Conrad Adenuaer, Drejtorin Tobias Rüttershoff; z. Arben Cejku, Drejtor i ACGG, Prof. Dr. Afrim Krasniqi, Drejtor i ISP për organizimin shumë të frytshëm të këtij aktiviteti.
Po ashtu falenderoj koleget zjj. Dhurata Çupi, znj. Arta Sakja, znj. Zheni Gjergji, znj. Orjona Pampuri, znj. Eralda Bano, znj. Greta Bardeli, znj. Ina Zhupa, znj. Ledina Aliolli dhe znj. Alfrida Marku; të cilat me dedikim dhe shumë përgjegjësi janë në krye të këtij proçesi tejet të rëndësishëm për LDG-në dhe Partinë Demokratike.
/Priza.al/