Shitja e rafinerisë për skrap/ Naftëtarët ‘presion’ qeverisë: Të merren masa ose do të futemi në grevë urie

Naftëtarët e Ballshit kanë organizuar sërish një protestë, vetëm një ditë pas publikimit të një dokumenti që vërtetonte shitjen e rafinerisë së Ballshit. Ata kërkojnë ndaljen e punimeve për demontimin e rafinerisë deri në marrjen e pagave të prapambetura që kanë. Ndër të tjera, ata i kërkojnë qeverisë të marrë masa ose do të futen në grevë urie.

“Ja letra, ja fakti, ja prova, policia të mos provojojë situata të papëlqyeshme, ka ku është prova.  Iu bëj thirrje të gjithë personave që janë në gjyq, të vijnë këtu, kjo është djersa jonë, të përballemi me policët, nuk ka kthim, të na vrasin. Në datën 1 ka dalë kjo shkresë ligjore, ky që e ka nënshkruar të arrestohet. Ky person të mbajë përgjegjësi”, tha një prej naftëtarëve.

“Sot do të marrim aktin final për të hyrë në grevë urie, sepse vetëm përmes grevës së urisë mund të dëgjohet zëri ynë. Vendimi është i prerë, që duhet të ndalojë çdo veprim, këta djemtë janë shqiptarë, ne konfliktin nuk e kemi me policinë, ne jemi me duar në xhepa. Ne kërkojmë që të hyjmë atje ku kemi derdhur djersën dhe gjakun. ARMO është debitore ndaj nesh. Do t’i bëja një pyetje komisariatit të Ballshit, pse nuk na lini që të shkojmë atje dhe të përballemi. E kam marrë fëmijën që ta dinë se këtë e bëjnë për bukën e fëmijëve, ky fëmijë duhet të rritet me djersën tonë. Çfarë kërkojnë më këta hajdutë? Është rrethuar uzinë sikur të ishte Mitrovica, se kemi parë ndonjëherë këtë”, u shpreh një tjetër naftëtar.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *