Problemet me linjat e urbanëve në Tiranë nuk kanë fund. Disa janë stabilizuar përfundimisht dhe janë kthyer njësoj si të ishe në një prej vendeve të BE-së, me shërbime të rregullta, korrektësi, bileta dhe abone, autobusë hibridë dhe elektrikë (aspak ndotës) dhe pa radhë e pritje në stacione.
Por ende në qarkullim janë një grup kompanish që ashtu si autobusët e amortizuar që kanë në përdorim, po ashtu si “fosile” kanë edhe pronarët dhe ata që drejtojnë këtë shërbim.
Dhe për fat të keq ata që paguajnë në të tilla raste janë qytetarët që megjithëse japin paratë, në vend të një shërbimi komod dhe korrekt mund të marrin si shpërblim deri në ndonjë aksident apo rrezikim jete.
“Priza.al” ka shkruar edhe më herët për problematikën me linjat e transportit urban në kryeqytet, ku probleme pa fund janë vënë në dukje si nga gazetarët tanë ashtu dhe nga vetë qytetarët.
Por sot do të rimerremi me linjën më të madhe problematike të urbanëve të Tiranës, që është linja e “Tiranës së re” me pronar Fatos Vrapin. Ky i fundit i lakuar jo pak nga mediat për abuzime me biletat, abonetë, taksat, apo shërbimin aspak cilësor dhe korrekt, duke se po e lë përfundimisht linjën që ka nën administrim që të degradojë.
Nuk janë vetëm autobusët e amortizuar dhe të pisët, me vonesa të gjata dhe gjithë farë problemesh, por tashmë kompania e Fatos Vrapit, duket se po vë në rrezik edhe jetët e pasagjerëve.
Degradimi i “Tiranës së re” dhe shoferët pijanec dhe sherrxhinj
“Priza.al” mori sot një denoncim nga një qytetar i cili e kishte parë veten në një situatë tepër të vështirë dhe të rrezikshme, vetëm sepse zgjodhi të pres në stacion autobusin e “Tiranës së re”.
Sipas denoncimit të këtij qytetari me inicialet F.H. dhe me nr. cel 068223****, sapo ai vuri këmbën në autobusin urban të “Tiranës së re” për të shkuar nga “Pallati me shigjeta” në qendër, jo vetëm që u përball me një situatë skandaloze njerëzish, mungese higjiene, parregullsie në orar, por edhe ju rrezikua dhe kanos jeta.
Shoferi që drejtonte autobusin, shtetasi Maksim Shahu, jo vetëm që ishte i dehur në timon, por gjatë drejtimit të autobusin me mbi 100-150 udhëtarë, po kryente manovra të gabuara, frenime të forta, e madje edhe nisi të acarohej (fillimisht) e më pas të konfliktohej verbalisht dhe tentoi edhe fizikisht me udhëtarët.
(Foto: Shoferi i autobusit të linjës ‘Tirana e re’, Maksim Shahu)
Nga shtetasi në fjalë u njoftua menjëherë shërbimi i 129-s dhe më pas edhe ai i Policisë Rrugore, nr. 126, por ata që erdhën të parët në kohë dhe bënë të mundur shmangien e një konflikti fizik mes shoferit dhe udhëtarëve, ishin efektivët e Policisë Bashkiake.
Autopatrulla e këtyre të fundit mbërriti menjëherë dhe bëri shoqërimin për në rajonin e policisë Nr. 2 të shoferit Maksim Shahu, i cili rezultoi të ishte i dehur pasi kishte konsumuar alkool ndërkohë që drejtonte një autobus urban në rrugët kryesore të Tiranës.
Edhe pse shoferi i dehur kanosi udhëtarin dhe shumë të tjerë, ai u shoqërua për në polici dhe u la i lirë pasi dha sqarimet vetëm 2 orë më pas.
Por në një kohë që shoferi i linjës së “Tiranës së re” po “fluturonte” me 150 jetë njerëzish në bord, pa marrë parasysh se çfarë mund të ndodhte, pronari i tij Fatos Vrapi, nga ana tjetër edhe pse e ka lënë këtë linjë të degradojë, vijon të korrë fitime të majme me paratë që paguajnë qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm, për të përfituar një shërbim dinjitoz.
Fatos Vrapi ndihmohet edhe nga Policia Rrugore?
Administratori dhe pronari i linjës së “Tiranës së re”, Fatos Vrapi, është një emër tashmë shumë i mediatizuar për “bëmat” e tij me shërbimin urban në kryeqytet.
Ai bashkë me një tjetër aktor të “sagës” së urbanëve, siç është Ferdinand Ibrahimi që dikur kishte linjën në Unazës, janë faktorët kryesorë të degjenerimit ndër vite të shërbimit urban në kryeqytet, të rritjes së çmimit të biletave, të abuzimeve me biletat dhe abonetë, si dhe drejtojnë madje edhe shoqatën e “Transportit Urban”.
Por në rastin e sotëm kur shoferi i Fatos Vrapit u kap i alkoolizuar në timon dhe u shoqërua në komisariat, duket se pikërisht emri i Vrapit që abuzon edhe me faktin sikur është “mik” i politikanëve të majtë dhe qeveritarëve, i ka stepur uniformat blu të Policisë Rrugore që të bënin procedimin me gjobitje të shoferit, heqje të patentës, arrestim dhe deri në bllokim të automjetit.
Kur kjo gjë u ndodh rëndom me dhjetëra qytetarëve, gati çdo ditë nëpër rrugët e Shqipërisë, madje edhe kur janë vetëm për vetëm në automjetin e tyre. Por përse shoferët e alkoolizuar të Fatos Vrapit duhet të tolerohen nga policët e Besmir Qibinit?
(Foto: Shefi i Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Besmir Qibini)
Kujtojmë se vetëm pak kohë më parë kryepolici Gledis Nano, emëroi si shef të Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Besmir Qibinin. Ai e kishte mbajtur këtë post edhe më herët në vitin 2014-2015.
Qibini sëfundi ka qenë këshilltar i kreut të Bashkisë së Kavajës, Redjan Krajli, por me sa duket me të ardhur në krye të Policisë Rrugore të Tiranës, duket se edhe ai ka nevojë për të bërë “qokat” e tij…
/Priza.al/