Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur së fundmi në lidhje me çështjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku ka thënë se ka shkuar që të heqë kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, por që e kishte ndaluar ish-ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Sandër Lleshaj.
Haradinaj është shprehur se Lleshaj i kishte bërë me dije se po ta largonte atë kufi, Shqipëria do të humbte të drejtën e udhëtimit pa viza nëpër vendet e BE-së. Haradinaj shtoi më tej se me Shqipërinë duhet të lidhet marrëveshja e mbrojtjes së përbashkët.
Deklarata e Haradinajt:
“Me Shqipërinë duhet bashkëpunim konkret. Të ikim kësaj idesë që të shkojmë t’i bëjmë disa lajme me një takim. Kufiri do të mbetet aty. A e dini pse nuk hiqet. Kam shkuar me bagera me hek, ka ardhur Sandër Lleshi më ka thënë të lutem kryeministër mos na bëjë këtë. E pyeta pse? Sepse më tha se na ndalin liberalizimin dhe na ngujojnë përsëri. Nëse e do këtë atëherë vazhdo. Andaj ka mbetur ajo pikë kufitare aty. Kur kam dashur të dërgojë ushtrinë në Thumanë kur ndodhi tërmeti, vetëm unë e di sa dokumentet i kam nënshkruar dhe procedurat burokratike. Marrëveshje të përbashkët kanë edhe shtete krejt të ndryshme. Duhet t’i lëmë folkloret. Të punojmë që të bashkohem më shumë mes vete”, tha ai.
/Priza.al/