I emëruari për kancelar të Gjermanisë, Scholz bën thirrje për miratimin e marrëveshjes së koalicionit me Të Gjelbrit e liberalët në një kongres të posaçëm të SPD. Javën e ardhshme pritet të betohet qeveria e re gjermane.
“Kjo do të jetë një qeveri me tre parti, që duan më shumë progres për Gjermaninë”, tha kancelari i emëruar, Olaf Scholz në një fjalim të shtunën (04.12.). Kemi tani “shansin që të fillojë një frymë e re në Gjermani”,- tha Scholz në Berlin.
Një startim i tillë është një rrezik, por kjo “kërkohet dhe është e drejtë, sepse ne kemi një përfytyrim për atë se si duhet të përfundojë me sukses”,- citon AFP, kancelarin e ardhshëm. Scholz premtoi, se për këtë të tre partitë e koalicionit do të “bashkëpunojnë miqësisht”.
Sfidat e qeverisë së re
Si sfida të kohës, Scholz përmendi ndryshimin e klimës, me të cilën qeveria duhet të merret. “Ne kemi një përgjegjësi të madhe në Gjermani që kjo të rezultojë pozitive”,- tha Scholz. Nuk bëhet fjalë vetëm për uljen e emetimeve të gazrave ndotës, por edhe për të treguar “se si bëhet”. Për këtë koalicioni trepartiak e vë theksin më pak tek heqja dorë se tek “progresi teknik”,- tha ai.
Si një çështje tjetër qendrore të punës së qeverisë së tij, Scholz përmendi planin për një sigurim bazë për fëmijët, fondin e mbështetjes sociale qytetare dhe zgjerimin e banimit. “Të gjitha këto janë reflektuar në marrëveshjen e koalicionit”,- theksoi Scholz. Po kjo vlen edhe për një pagë minimale më të lartë, si edhe progres në trajtimin e barabartë të grave e burrave.
Në lidhje me pandeminë e Coronës, Scholz tha, se ajo duhet “luftuar me të gjitha forcat që kemi”. “Ne duhet t’ia dalim me njëri-tjetrin, që me masa të vendosura të ndërpresim valën e katërt.” “Për këtë kërkohet të bëhen edhe njëherë kufizime. “Sepse nuk jemi vaksinuar të gjithë, duhet ta bëjmë edhe njëherë këtë.”
Scholz kujtoi në kongresin e socialdemokratëve, se suksesi i SPD-së nuk është aspak i vetëkuptueshëm, por ne “ia dolëm të gjithë së bashku”.
Për një kohë të gjatë kancelarin e ofroi CDU, por “socialdemokratët do të kenë kancelarin e ardhshëm të kësaj republike dhe kjo është puna jonë e përbashkët”,- tha Scholz Vitet e ardhshme do të bëhet fjalë për një politikë, ku të gjithë në Gjermani të kenë një jetë më të mirë, premtoi Scholz.
Vitet e kaluara shumë gjëra u lanë pa u bërë. Kongresi i SPD-së u zhvillua si videokonferencë për shkak të pandemisë.
/Burimi: DW/