‘Mos pi mall, bëj palestër…’/ Drejtori Nano merr fletë-analizat e para: Policët që konsumojnë drogë nga java e ardhshme, gati ‘letrat’…  

Paguhen nga paratë e taksapaguesve që të zbatojnë ligjin dhe të pastrojnë rrugët e vendit nga trafikantët e të gjitha llojeve, përfshi edhe ata të drogës, por ja që disa efektivë policie nuk janë në “lartësinë e detyrës”.

Për këtë qëllim, të gjithë efektivët që do të rezultojnë përdorues të lëndëve narkotike, nuk do të jenë më pjesë e radhëve të uniformave blu. Kështu ka vendosur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, i cili mësohet se ka marrë në duar rezultatet e para të testit të drogës, ku disa prej efektivëve, kanë rezultuar konsumatorë të lëndëve narkotike.

Për pasojë, atyre kanë nisur t’u bëhen gati ‘letrat’ për përjashtim, pasi nuk do të jenë më pjesë e uniformave që paguhen për të pasur nën kontroll sigurinë e vendit.

Javën e ardhshme do të jetë edhe konferenca e prezantimit të rezultateve për testin e drogës, ditë kur do të mësohet se sa prej anëtarëve të Policisë së Shtetit kanë rezultuar përdorues.

Disa ditë më parë, drejtori i policisë Gledis Nano, informoi se këtij procesi do t’i nënshtrohen të gjithë punonjësit e policisë.

Ky testim do të zhvillohet përmes caktimit të grupeve të përzgjedhura, të panjoftuara më parë dhe do të jetë periodik, e për rastet e dyshuara pavarësisht se në testimin e parë mund të rezultojnë negativ, testimi përsëritet brenda një periudhe të shkurtër.

Testet që po praktikohen janë përmes urinimit dhe marrjes së gjakut. Pothuajse 11 mijë efektiv policie në rang vendi, do t’i nënshtrohen këtij rregulli që duhet kujtuar se ka nisur të vihet në zbatim, pasi rregullorja dhe ligji e kishte të parashikuar por për vite më radhë nuk ishte vënë në praktikë.

Nga ky testim nuk do të ketë përjashtime edhe në radhët e kupolës drejtuese, që nënkupton se duke nisur nga zyrtarët me pozitat më të larta në Drejtorinë e Përgjithshme, apo në drejtoritë dhe komisariatet e rretheve do t’i nënshtrohen testimit.

/Priza.al/

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *