IGJEUM paralajmëron se gjatë fundit të ditës së sotme dhe fillimin e javës tjetër priten reshje intensive, të cilat do të jenë më të përqëndruara në veri-perendim dhe në jug të territorit.
I gjithë territori i vendit tonë do të përfshihet nga moti i keq pasditen e sotme dhe gjatë gjithë ditës së nesërme. Si pasojë e një cikloni të formuar në Adriatik, që në orët e para të ditës së sotme pjesa veriore e vendit është në “pushtetin” e shiut.
Në kryeqytet reshjet e dendura pritet që të godasin pas orës 15:00. Më pas stuhia do të prekë edhe jugun. Reshjet e shiut do të jenë intensive gjatë natës, po ashtu edhe të dëborës në pjesët malore. Nga pasditja e së martës deri të enjten reshjet do të largohen nga territori ynë për t’u rikthyer sërish të premten.
Në qarqet Lezhë, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjëve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në të gjithë territorin priten rritje të prurjeve përgjatë javës në vijim që mund të shkaktojnë përmbytje të lokalizuara.
Në zonat urbane pothuajse në të gjithë territorin, si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve, mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, kryesisht përgjatë datës 6 dhjetor 2021, në varësi të gjendjes së kanalizimeve
Sot pasdite (e diel, dt.05) dhe nesër (e hënë, dt.06) priten reshje shumë intensive në qarkun e Shkodrës dhe intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër.
/Priza.al/