Skandali/ Porositi vrasjen e komisarit të Policisë, Artan Cuku, u pajis me pasaportë në Greqi dhe iku për t’i shpëtuar ekstradimit

Bledar Jambelli allias Rikardo Muho, porositësi i vrasjes së Komisarit Artan Cuku, rezulton të jetë një prej të shumëkërkuarve shqiptarë, që u pajisën me identitet fals grek, skandal i zbuluar vetëm pak ditë më parë dhe që ka bërë bujë në opinionin grek.

Mësohet se Jambelli, në këmbim të 35 mijë eurove, kishte siguruar një identitet të ri, Xristos Xamkidis, që do t’i shmangte edhe ekstradimin në Shqipëri.

Jambelli, rezulton të jetë pajisur me identitet fals grek, pikërisht nga grupi kriminal i policëve grek që u ndryshonte identitetin kriminelëve të shumëkërkuar shqiptarë, me qellim që t’i shmangeshin drejtësisë.

Bledar Jambelli kishte siguruar në Xania një kartë identiteti dhe pasaportë greke në emrin Xristos Xamkidis.

Rikardo Muho, që për policinë greke, e kishte të shtrirë veprimtarinë kriminale në Spanjë dhe Greqi, në prill 2020 është marrë në pyetje nga policia greke ku ka dhënë informacion të vlefshëm lidhur me grupin kriminal të falsifikatorëve.

Sipas tij, ai kishte paguar 35 mijë euro për të ndërruar identitet dhe këtë e kishte bërë me qëllim që mos të ekstradohej në Shqipëri, por të qëndronte pranë familjarëve të tij që ndodhen në Greqi.

Shqiptari me pseudonimin Rikardo Muho, me veprimtari në Spanje e Greqi, u shoqërua në polici në prill 2020 me urdhër të Prokurorisë së Pireut, për një çështje të madhe kontrabande cigaresh.

Shkaku që Muho u thirr ishte fakti që me identitetin e rremë, pjesëtarë të grupit kishin hapur nipt për një kompani të përfshirë në kontrabandë cigaresh. Muho në atë kohë ishte ende në qeli, i akuzuar si porositës i vrasjes së oficerit të policisë, Artan Cuku, thuhet në artikullin e sotëm të gazetës greke “Kathemirini”. Deri në arrestimin e tij në 2018-ën, Muho jetonte në Athinë me kartë identiteti dhe pasaporte me emrin Xristos Xamkidis.

Kush është Bledar Jambelli

Nga hetimet e kryera nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dyshohet se Jambelli ka porositur vrasjen e komisar Cukut, ngjarje e ndodhur më 8 prill 2017.

Kryekomisari u vra duke hyrë në shtëpinë e tij në Tiranë, natën e 8 prillit të vitit 2017. Ai u qëllua me 5 plumba, katër në gjoks dhe një në kokë. Po nga hetimi rezulton se motivi i krimit, lidhet me arrestimin e Jambellit në kohën kur viktima kryente detyrën e Drejtorit të Policisë Vlorë.

Jambelli u shpall në kërkim ndërkombëtar nga ana e Policisë më datë 13.06.2017, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me vendimin nr. 292, datë 12.06.2017, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Vrasja e Punonjësit të Policisë së Shtetit” e kryer në bashkëpunim.

Pas arrestimit të tij 20 muaj pas krimit, Greqia vendosi që të mos e ekstradonte atë drejt shtetit tonë.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *