Një atentat ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Shkodër, ndërsa ka ndërruar jetë shtetasi Bardhok Pllanaj, një emër i njohur i qytetit. 46-vjeçari ishte i njohur si ‘Kumbar’ droge. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Dobraç”, ku Pllanaj është qëlluar në makinën e tij. Ndaj 46-vjeçarit është gjuajtur me kallashnikov, teksa makina e tij tip “Range Rover” ishte në ecje e sipër. Pas të shtënave dyshohet se makina e Pllanaj ka ecur në gjendje të lirë, dhe është përplasur me murin anësor të një biznesi.
Mësohet po kështu se një makinë e djegur është gjetur pranë pompave në Dobraç, mjeti tip “Passat” ishte me targa italiane. Burimet bëjnë me dije se në makinë janë gjetur dy armë të cilat dyshohet të jetë përdorur në ekzekutimin e Pllanajt.
Paraprakisht dyshohet se vrasja ka ndodhur nga për profesionistë, ndërsa pista e parë ku po hetohet është e shkuara e 46-vjeçarit. I ndjeri është dënuar me burgim në mungesë në 2014-ën nga Gjykata e Rrethit Shkodër për tre vepra penale: “Pastrim parash”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndërtim pa leje”. Asokohe Gjykata e Rrethit të Shkodrës vendosi të sekuestrojë një pallat 10-katësh në pronësi të Pllanajt, e cila kapte vlerën e 2 milionë eurove. Gjithashtu Pllanaj, ishte i skeduar nga policia si një person që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.
Po ashtu ai ra në rrjetën e OFL pak kohë më parë, pasi rezultonte i dënuar në Belgjikë për “trafik të qenieve njerëzore”. Emri i Pllanajt do të lakohej për herë të parë në vitin 2014, gjatë operacionit policor “Laguna e Vilunit”, ku u sekuestruan gati një ton hashash. Shtatë persona u arrestuan, por Pllanaj arriti t’i shmangej kapjes. Sipas burimeve policore, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte vendosur për Pllanajn masën e “arrestit me burg” për trafik narkotikësh, edhe në maj të vitit 2017, por në rrethana të paqarta rezulton që kjo masë të jetë shuar 2 muaj më vonë.